Armando Broja ka hedhur pas krahëve dëmtimin, që e mbajti atë jashtë që nga muaji Korrik. Sulmuesi shqiptar është rikuperuar plotësisht dhe këtë të mërkurë u shfaq në stërvitjen e Everton.

23-vjeçari u transferua te skuadra angleze në fund të merkatos nga Chelsea, në huazim me të drejtë blerje, por ende nuk e ka bërë debutimin.

Broja vuante nga një problem në tendinë dhe ka qenë jashtë për disa muaj. Megjithatë, duket se makthi i dëmtimit ka kaluar dhe lojtari po përgatit rikthimin në fushë.

Everton zbuloi këtë të mërkurë se Broja është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës. Lojtarit do i duhen kohë për të kapur formën dhe tek anglezët nuk duan të nxitohen, pasi do të rrezikonin një tjetër dëmtim.

Broja nuk pritet të jetë pjesë e grumbullimit të Shqipërisë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Çekisë dhe Ukrainës, pasi nuk ka kapur ende ritmin. /tvklan.al