Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) nënshkruan këtë të enjte një marrëveshje historike bashkëpunimi me në fokus zhvillimin e projekteve që mbrojnë mjedisin dhe nxisin një ekonomi të qëndrueshme. Marrëveshja synon të ndihmojë bankat shqiptare që të sigurojnë fonde në mbështetje të projekteve të gjelbra.

“Përmes Programit për Sistemet Financiare të Gjelbra të BEI-ve, ne do të zhvillojmë një taksonomi të gjelbër dhe do të forcojmë kuadrin rregullator për adresimin e rreziqeve klimatike. Taksonomia e gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për klasifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme, duke ndihmuar në kanalizimin e fondeve drejt projekteve që kanë një ndikim pozitiv në mjedis dhe duke rritur transparencën për investitorët dhe institucionet financiare.”

Zëvendës presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, Përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Tv Klan tha se ashtu si në mbarë botën edhe Shqipëria po përjeton efektet e ndryshimeve klimatike, ndaj duhen ndërtuar sisteme financiare rezistente.

“Ne kemi nevojë për një kornizë rregullatore edhe për institucionet financiare, për të marrë parasysh më mirë rreziqet që vijnë nga ky ndryshim. Sepse duhet ta dimë paraprakisht se cilat mund të jenë pasojat për sektorin financiar.”

Jo vetëm në sektorin financiar, por Banka Evropiane e Investimeve mbështet dhe synon të jetë prezent edhe në fusha të tjera.

“Tradicionalisht jemi shumë aktivë në fushën e infrastrukturës, veçanërisht në hekurudha. Por, gjithashtu, duam të jemi aktivë në sektorin e energjisë. Madje jemi të interesuar të jemi më aktivë edhe në sektorin kulturor, duke promovuar të rinjtë dhe aktivitete të tjera në këtë drejtim”

Bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë përbën një hap të rëndësishëm drejt realizimit të tranzicionit të gjelbër dhe avancimit të agjendës së Shqipërisë për integrimin në BE.

Tv Klan