Pas amullisë, gjatë votimit të buxhetit të bashkisë së kryeqytetit, duket se ky ngërç tashmë është kapërcyer përkohësisht, pasi buxheti i është përcjellë prefektit për miratim.

Ruzhdi Keçi: “Në datën 12 në drekë, pardje pra ka ardhur buxheti, ka mbërritur në prefekturë i firmosur nga nënkryetari i këshillit bashkiak, firmë të cilin ja ka deleguar me anë të një autorizimi vetë kryetari i këshillit bashkiak. Kshu që nga pikëpamja ligjore, çdo gjë është në rregull, tanin në një farë mënyre loja ka kaluar në gjysmë të fushës tjetër, ka kaluar tek prefekti”.

Por kryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, përfaqësuesi i LSI-së ka reaguar sot në lidhje me këtë çështje duke theksuar se kjo forcë politike nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj për buxhetin.

Sokol Dervishaj: “Duke qenë se dhe jam akuzuar për politizim apo për qëndrim politik në lidhje me këtë çështje. Kam autorizuar zëvendës kryetarin e këshillit që të vazhdojë procedurën në lidhje me projektvendimin, e përsëris me projektvendimin sepse unë nuk e njoh si vendim këtë për të gjetur një zgjidhje apo tashmë kjo çështje është në duart e prefektit, prandaj besoj që prefekti në zbatim të ligjit dhe procedurave apo të gjithë hapësirës që ligji parashikon, do të marri vendimin e drejt në lidhje me këtë çështje”.

E sakaq në zyrat e prefekturës, ekspertët kanë filluar të shqyrtojnë një për një të gjithë materialin voluminoz që përmban buxheti, prefekti Keçi thotë se ligji jep 10 ditë kohë për t’u shprehur në lidhje me vlefshmërinë ligjore. Kohë e cila do të shfrytëzohet plotësisht duke pasur parasysh kontestimet e shumta në adresë të këtij buxheti, por çfarë do të ndodhë nëse deri fundjavën e ardhshme prefekti do të refuzoj të bekoj këtë buxhet.

Ruzhdi Keçi: “Nëse përgjigja prefektit do të jetë negative, atëherë ligjërisht këshilli është i detyruar ta marri dhe njëherë në shqyrtim buxhetin. Nëse riparohet pra ajo që ka kërkuar pretendimi i prefektit gjen vullnetin e këshillit, vjen përsëri dhe konfirmohet. Në të kundërt ato mund të vazhdojnë ekzekutinë e buxhetit dhe unë i drejtohem gjykatës”./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro