Në Galerinë e Arteve është çelur ekspozita “Nëntori 11”, punime të mese 30 artistëve shqiptarë.
Ky është viti i 11 që një aktivitet i tillë kulturor zhvillohet në kryeqytet. Në ekspozitë binin në sy peizazhet, me larminë e tyre që sollën më afër për publikun natyrën e mrekullueshme dhe zakonet shqiptare.
Nuk mungonin as kompozimet abstrakte apo dhe portretet që merrnin spunto nga jeta e njerëzve të thjeshtë deri tek figura të tilla të kulturës shqiptare si, At Zef Pllumi me autor Pashk Përvathin.
Pashk Përvathi: “At Zef Pllumi mendoj se përfaqëson një majë të kulturës sonë kombëtare. Është detyrimi i çdo artisti, përjetësimi i të tilla figurave. Ndoshta unë kam kryer vetëm këtë detyrim minimal si çdo artist duhet të ketë për figurat e mëdha kombëtare. Unë tani ndjehem sikur kam plotësuar një amanet dhe ndjehem shumë mirë dhe shumë i lumtur që kam arritur të realizoj pikturën me portretin e At Zef Pllumit.”
Në edicionin e 11-të të këtij viti mes 30 artistëve ishin të ftuar edhe krijues nga fusha e skulpturës.
Mese 100 punime të ekspozuara në Galerinë e Arteve ngjallën mjaft interes te publiku i pranishëm./tvklan.al