Lajme Arkiva 2003

Banorët e Shëngjinit vuajnë prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm, gjendja përkeqësohet më tepër tani në stinën e verës. Sipas banorëve depozita kryesore e ujit që gjendet në  lagjen e portit nuk arrin të mbushet asnjëherë.

Për këtë arsye këta banorë kanë ndërhyrë në tubin kryesor duke e thithur ujin me pompë. Të gjitha instalimet e ndërhyrjes në tub janë bërë sipër kanalit të ujërave të ndotura duke u bërë kështu shkak për përhapje sëmundjesh dhe epidemish të cilat nuk kanë munguar kohët e fundit në këtë zonë.

Banorët thonë se përfaqësuesit e pushtetit lokal nuk janë shqetësuar për mungesën e ujit të pijshëm dhe nuk janë dukur asnjëherë për t’u njohur nga afër me hallet dhe problemet e tyre.

Një nga arsyet kryesore të mungesës së ujit të piijshëm në Shëngjin është edhe mungesa e energjisë elektrike si dhe ndërhyrja në tubin kryesor përgjatë rrugës nga fshatarët që e përdorin ujin për vaditje.

Çelet sezoni turistik në plazhin e Jonit, fillimi i sezonit të verës ka shtuar interesimin e pushuesve për pikat turistike të Sarandës Ksamilit dhe Borshit me gjithë çmimeve të larta të hoteleve dhe shtëpive me qira.

Në Sarandë çmimet e hoteleve për një natë vijojnë nga 2000 deri në 4000 Lekë për persona. Ndërkohë në Ksamil dhe Borsh çmimi i dhomave më qira megjithëse konsiderohet si më ekonomik variojnë nga 250 deri në 300 mijë lekë për dy javë.

Gjatë këtij sezoni veror Saranda pritet të siguroj të ardhura më të larta nga turizmi. Vitin e kaluar Sarandën e frekuentuan 40 mijë pushues nga të cilët 15.000 ishin të huaj. Me gjithë ndryshimet e bëra, uji i pijshëm vazhdon të jetë një problem për këtë qytet. Furnizimi jo i rregullt me ujë shkakton shqetësime të pushuesit./tvklan.al