Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, u tha gazetarëve se nuk ka asnjë rrezik që vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare të dështojë, por ka disa problematika që duhet të adresohen në konsultim me partitë politike.

“Procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik, ka zero rrezik për këtë. Nuk po shkon drejt dështimit”, tha Celibashi.

Celibashi tha se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30-45 ditë kohë për vajtje-ardhjen e fletës së votimit të emigrantëve, prandaj shtroi çështjen e zgjatjes së afatit përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

“Kemi marrë përgjigje nga partitë politike, ato që kemi marrë dhe të gjitha pa përjashtim ka rekomanduar që të shtohet edhe Tirana. Të gjitha, përjashto Partinë Demokratike e cila nuk konsideron as Tiranën, Elbasanin, Durrësin dhe as një njësi tjetër zgjedhore, deri më sot, për zhvillimin e votimit elektronik”, shtoi ai.

Partia Demokratike është e vetmja që deri tani ka refuzuar votimin elektronik, por Celibashi nuk sheh nevojën që të kërkojë kontakt personalisht me kryetarin Sali Berisha.

Klan News