Ndërmarrja shtetërore “Meico” ka kryer një proces të rregullt të shitjeve të municioneve të kompanisë së interesuar amerikane Evdin, autorizimin e së cilës e ka pasur kompania AEY. Zëdhënësja për shtyp e ministrisë së Mbrojtjes ka deklaruar se Meico, drejtori i së cilës ndodhet në gjendje arresti prej më shumë se dy muajsh, ka bërë shtije municionesh në mënyrë të rregullt ligjore.
Albana Mustafarai: “Kompania AEY-INC dhe Evdin LTD kanë kërkuar nëpërmjet një shkrese drejtuar Meicos, municione të kalibrave të vegjël, me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi shoqëruar kjo me dokumentacionin ligjor përkatës. Ndërmarrja Meico i ka ofruar kompanisë Evdin LTD materialet e kërkuara, duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit si dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007. Kontrata e lidhur midis ndërmarrjes Meico si shitës dhe kompanisë Evdin LTD për AEY-INC më datë 18.05.2007, përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në këtë kontratë në artikullin cilësia thuhet se malli shitet ashtu siç është dhe blerësi ka të drejtën e kontrollit dhe të provës ndaj tij duke kryer inspektime.”
Një përgjigje të saktë pritet ta konfirmojë dhe grupi i prokurorëve shqiptarë të cilët janë angazhuar në hetimet e çështjes Gërdeci. Dhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht dita kur prokurorët do të zhvillojnë një seancë pyetjesh me Efraim Diverolin, mësojmë se hetuesit shqiptarë do të mbledhin informacione në procedurat e marrëveshjes me firmën private amerikane.
Vetëm dy ditë më parë pronari i kompanisë AEY, Efraim Diverol u arrestua pasi akuzohet se ka mashtruar pentagonin, ku sipas shtypit amerikan 22-vjeçari blinte armët e ndaluara nga Shqipëria dhe i shiste forcave të sigurisë në Afganistan./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani