Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topallli, ka qenë e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ish-zyrtarja e lartë e PD është pyetur se çfarë do sjell ajo të re në politikë, pasi për vite me radhë ka qenë në poste të larta drejtuese.
Por Topalli thotë se ajo ka qenë vetëm kryetare e Kuvendit dhe nuk ka pasur në dorë kompetenca për vendimmarrje të rëndësishme.
“Kam qenë kryetare e Parlamentit. Kam qenë vetëm kryetare e Parlamentit, kisha zero kompetencat në vendimmarrje dhe të gjitha ndryshimet vinin nga qeveria. Unë do bëj atë që kam bërë. Kam luftuar kundër korrupsionit”, u shpreh ajo.
Por këto deklarata janë kundërshtuar nga gazetari Robert Rakipllari, i cili tha se Topalli nuk kishte folur kundër skandale të qeverisë Berisha.
“Ju i keni thënë këtu Gramoz Ruçit “plumbin ballit” dhe keni thënë “kapeni për zhelesh e qiteni jashtë”. Kjo ka qenë deviza juaj politike”, tha gazetari.
Por ish-kryetarja Kuvendit shtoi se ajo ka qenë e vetmja që ka votuar kundër dy kryeprokurorëve dhe i është bërë dy herë mocion mosbesimi.
“Tani do më lini të flas, kam marrë dy mocione mosbesimi dhe kjo është unike në botë. Unë kam guxuar për të mos hedhur në votim për një person që kishte probleme. Kam guxuar të votojë kundër dy kryeprokurorëve, pasi e kam ditur që nuk do luftonin korrupsionin”, tha Topalli./tvklan.al