Një çift shqiptarësh është arrestuar në Greqi pasi tentuan të trafikonin kokainë në një mënyrë krejt të pazakontë. Mediat thonë se burri është një 45-vjeçar i quajtur Adrian, por që njihet gjerësisht me emrin Aris. Ai shoqërohej nga një grua që është identifikuar Nela.
Mësohet se çifti shqiptar e kishte fshehur drogën në një arush dhe do ta shisnin lëndën narkotike në ishullin e Mykonos-it. Operacioni për kapjen e tyre u krye pas informacioneve që kishin mbledhur në rrugë operative.
“Lideri i grupit, një 45-vjeçar shqiptar i quajtur Adrian, i njohur në rrugët e Athinës dhe Mykonos-it me emrin Aris dhe krahu i tij i djathtë, një bjonde gjithë sharm, e quajtur Nela, do të transportonin kokainën me arush, por u kapën më 29 Janar”, thuhej në gazetën Protothema.
Siç dallohet edhe në videon e publikuar në mediat greke, droga ishte fshehur brenda arushit, që shqiptarët donin ta përdornin si karrem. Gjithsej u sekuestruan 3 pako me kokainë dhe disa doza të vogla. Po ashtu nën sekuestro u vunë celularët e çiftit dhe para. /tvklan.al