Cirku i vendosur në sheshin Nënë Tereza nga Bashkia e Tiranës disa ditë përpara ndërrimit të viteve, vazhdon të qëndrojë aty, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Që prej Dhjetorit të vitit 2009 kur edhe u vendos arena e cirkut e kontraktuar nga bashkia për argëtimin e kryeqytetasve ditët e festës policia e ka bërë këtë zonë me një sens kalimi, por sipas tyre kjo ka vështirësuar së tepërmi qarkullimin.
Ramadan Kupani: “Vendosja e tendës së cirkut në sheshin Nënë Tereza normalisht që e vështirëson pak trafikun. Kemi vendosur një sens kalimi për mjetet, por shërbimet tona janë munduar ta mbajnë gjatë gjithë kohës në rrjedhë dhe të jetë normalitet në trafik. Ka pak probleme përsa i përket ngushtimit të rrugës për kalimin e mjeteve”.
Përveç bllokimit të sheshit duke vështirësuar kalimin e mjeteve në këtë zonë vendosja e arenës së cirkut është shoqëruar edhe me dëmtimin e sheshit, pasi skelat janë të ngulitura fort në tokë.
Edhe pse viti i ri ka plot tre javë që ka ikur dhe të gjithë i janë kthyer jetës normale, cirku vazhdon të mbajë peng sheshin Nënë Tereza.
Interesimit të kamerës së Televizionit Klan se edhe përsa kohë arena e cirkut do të qëndrojë aty, e për më tepër se çdo të bëhet me dëmtimet që i janë shkaktuar sheshit nga vendosja e tij nuk i përgjigjet askush./tvklan.al