Bunkerët dhe kazermat ushtarake që gjatë regjimit komunist shërbenin si fortesa për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë jo në pak raste janë kthyer në muze, restorante apo destinacione për t’u vizituar.

Shndërrimi i fosileve të diktaturës në qendra arti e gastronomie kanë tërhequr jo vetëm vëmendjen e mijëra turistëve të huaj, por dhe atë të gazetarit Justin Calderón, i cili ka vizituar Shqipërinë dhe ka shkruar një artikull në prestigjiozen “CNN Travel”.

Shtëpia e diktatorit, e cila po rimodelohet sipas artikullit përmbledh më së miri se çfarë ndjejnë shumë shqiptarë për vitet e komunizmit, të cilët duke pësuar një traumë kolektive të mizorisë, shumë prej tyre do të preferonin të harronin se ai ka ekzistuar ndonjëherë.

Megjithatë, gazetari evideton faktin se Shqipëria po përjeton një Rilindje Turistike e mbështetur nga sipërmarrës dhe emigrantë të kthyer që po i japin një jetë të dytë strukturave ushtarake komuniste që dikur përdoreshin për të vendosur armët e luftës.

E këtu sjell disa shembuj konkretë si në periferi të Tiranës, ashtu dhe në Fishtë që po përdorin të vjetrën për të fituar në të sotmen dhe për t’u lidhur me rrënjët e së kaluarës, siç shprehet një prej sipërmarrëseve.

Bunk’Art në kryeqytet, si dhe Muzeu Etnografik i Gjirokastrës janë të tjera ndalesa të vizitës së Calderon në Shqipëri, ku janë të dokumentuara krimet e komunizmit dhe historinë e diktatorit që e kthehu vendin në Korenë e Veriut në Europë.

Vetë kryeministri që postoi shkrimin e “CNN Travel” e quan të mrekullueshme të shohësh “CNN” që shfaq udhëtimin shqiptar “Zhytuni në të kaluarën e errët të Shqipërisë, të shndërruar në një të tashme mjaft gjallëruese! Bunkerët dikur të zymtë tani nxisin rritjen tonë të pandalshme të turizmit”, shkruan Rama në rrjetin social X.

Ndërsa Shqipëria është ende duke u shëruar nga pasojat e epokës komuniste, theksohet në artikull, ajo mbetet e vendosur për të rimarrë kontrollin e narrativës dhe të mos lejojë që e kaluara e errët e vendit ta përcaktojë.

Tv Klan