Një 28-vjeçare ka të ngjarë të jetë infektuar me Covid-19 pasi përdori një banjë me aeroplan, sugjeron një raport i ri i publikuar në revistën Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Revistën Emergjente Sëmundjet Infektive.

Vajza ishte midis rreth 300 koreanëve që u evakuuan nga Milano, Itali, më 31 Mars gjatë kulmit të pandemisë në Europë.

Ekipi nga Kolegji i Mjekësisë i Universitetit Soonchunhyang, në Seul, Kore të Jugut, thotë se vajza kishte vendosur një maskë N95 për sa kohë zgjati fluturimi, përveç kur shkoi në tualet.

Të paktën një person që kishte Covid-19, por ishte asimptomatik në atë kohë, gjithashtu përdori tualetin, duke e bërë të mundshme që 28-vjeçarja të merrte me frymë disa pika infektive ose të prekte një sipërfaqe të kontaminuar.

Fluturimi, i cili u organizua nga zyrtarë të Koresë së Jugut, u krye me masa të rrepta të kontrollit të infeksionit, përfshirë testimin e të gjithëve para se të hipnin në udhëtim, shkruan Daily Mail.

Nga 310 pasagjerë që mbërritën në aeroportin e Milanos, 11 prej tyre shfaqën simptoma të koronavirusit dhe nuk u lejuan të hipnin në aeroplan.

Pasagjerët e tjerë përdorën maska për frymëmarrje N95 dhe kanë mbajtur gjashtë metra distancë nga njëri-tjetri para se të hipnin.

Udhëtarët kanë hequr maskën e tyre N95 vetëm kur ishte koha e ngrënies ose gjatë përdorimit të tualetit gjatë fluturimit, kanë shkruar studiuesit.

Pas një fluturimi 11 orësh, 299 pasagjerë asimptomatikë mbërritën në Korenë e Jugut dhe u vendosën menjëherë në karantinë për dy javë.

Direkt sa zbritën nga aeroplani, 6 prej pasagjerëve dolën pozitivë me Covid-19 dhe u transferuan në spital.

Në ditën e tetë të karantinës, 28-vjeçarja filloi të kishte simptoma duke përfshirë kollitjen dhe dhimbjen e muskujve. Në ditën e 14, ajo u transferua në një spital, ku rezultoi pozitive me Covid-19.

Gruaja kishte hequr maskën e saj vetëm për të përdorur tualetin. Studiuesit u shprehën se ka pak shanse që 28-vjeçarja të ishte infektuar para fluturimit sepse ajo u karantinua në shtëpi për tre javë dhe nuk u largua askund.

“Tualeti ndahej nga pasagjerët të ulur afër, duke përfshirë një pacient asimptomatik. Ajo ishte ulur tre rreshta larg nga pacienti asimptomatik. Duke qenë se ajo ishte vetë-karantinuar në shtëpi për tre javë dhe nuk kishte përdorur transport publik për të arritur në aeroport, ka shumë të ngjarë që ajo të jetë infektuar gjatë fluturimit përmes kontaktit indirekt me një pacient asimptomatik”, shkruajnë autorët.

Ky studim është ndër të parët që tregon se koronavirusi mund të transmetohet në një avion.

Studiuesit besojnë se rruga më e mundshme e transmetimit është kur ke kontakt me sipërfaqe të kontaminuara ose njerëz të infektuar sepse përhapja nga ajri është e vështirë për shkak të filtrave të grumbullimit të grimcave me efikasitet të lartë të përdorur në sistemin e ventilimit të avionëve.

Sidoqoftë, shumë kompani ajrore kanë futur politika të tilla si lënia e vendeve të mesme bosh dhe dezinfektimi i avionëve më shpesh për të inkurajuar pasagjerët që fluturimi është i sigurt. /tvklan.al