Kjo është ajo çka la pas llava e flakëve që shkrumboi fshatin e Matit, në Greqi, ku ishte edhe epiqendra e zjarrit masiv. Pamjet i ngjajnë një apokalipsi… gjithçka e bërë shkrumb e hi.
Rënqethëse është dëshmia e një gruaje që thotë për gazetën “Protothema” se ka parë një vajzë të digjej e gjallë, ndërsa ajo bashkë me bashkëshortin vraponin zbathur drejt detit. Ndërsa një banor i fshatit grek tregon për gazetarët se në momentin e flakëve të gjithë vrapuan drejt detit, pa parë fare mbrapa, teksa flakët dukeshin sikur i kishin pas shpine.
Shpëtimi i vetëm për banorët e fshatit Mati ishte deti, ku banorët tentojnë të hipin në gomone. Gazetari i TV Alpha raporton nga vendngjarja në vrap e sipër, duke iu larguar flakëve që sa vijnë e përhapen.
Bilanci aktual i viktimave është 77 të vdekur, disa prej tyre fëmijë dhe mbi 187 të lënduar, disa prej tyre me plagë të rënda djegieje. Shtëpitë e shkrumbuara janë rreth 3 mijë. Frika është e madhe se bilanci për fat të keq mund të jetë edhe më i rëndë, pasi rreth 100 persona raportohen të zhdukur, shkruan Protothema.
Edhe për zjarrëfikësit ishte një mision i pamundur. Era e fortë me shpejtësi rreth 80 kilometra në orë bëri që flakët të përparojnë me shpejtësi, duke përpirë gjithçka.
https://www.youtube.com//embed/c5_j0NQ6ZZg
Zjarri nuk kurseu asgjë, as varrezat ku zjarrëfikësit po mundohen të shpëtojnë ç’të mundin. Pamjet nga ajri tregojnë përmasat e katastrofës. Shtëpi të shkrumbuara, pemë të djegura dhe tym që vazhdon të dalë nga gërmadhat.
Kryeministri Aleksis Cipras anuloi takimin në Bosnje dhe mblodhi urgjentisht në mbrëmje shtabin e emergjencave civile. Kreu i qeverisë shpalli tri ditë zie kombëtare.
https://www.youtube.com/watch?time_continue=558&v=zgle9xHH2PU
Shqetësuese mbetet edhe situata e turistëve në këtë periudhë tejet të populluar në plazhet greke. Ekipet e emergjencave arritën të shpëtonin 10 turistë të larguar me varkë drejt detit për t’u shpëtuar flakëve.
BE ofroi ndihmë me mjete dhe njerëz për Greqinë. Helikopterë nga Spanja, Gjermania, Polonia e Qipro janë angazhuar në ndihmë të forcave greke. Zjarri që la pas viktima dhe shkatërrim dyshohet se është vënë qëllimisht nga plaçkitës banesash.
Bëhet fjalë për katastrofën më të rëndë prej më shumë se 1 dekade në Greqi. Ende në kujtesën e grekëve mbetet zjarri masiv i vitit 2007, ku humbën jetën mbi 80 persona si pasojë e flakëve që shkrumbuan vendin për ditë me rradhë.
Tv Klan