Një ditë pas përfundimit të procesit të intervistimit të 251 kandidatëve për shefa komisariatesh në vend, Policia e Shtetit ka publikuar vlerësimin paraprak për gjithsecilin prej tyre.

Në bazë të pikëve të marra nga Komisioni i Vlerësimit të Aplikantëve, i pari është pozicionuar kryekomisari Ilirjan Demaj, me 82 pikë.

Deri në këtë fazë pretendentë për 48 komisariatet e policisë në të gjithë vendin janë 102 aplikantë me gradat Kryekomisar, Komisar apo Nënkomisar, të cilët kanë mundur të sigurojnë të paktën 70 pikë.

Mes kandidatëve të pozicionuar paraprakisht në listën e emrave nga ku do të përzgjidhen shefat e rinj të komisariateve janë dhe 4 gra, pjesë e radhëve të policisë.

Vlerësimin e marrë gjithsecili prej kandidatëve ka të drejtë ta ankimojë brenda 2 ditëve nga momenti i publikimit të rezultatit paraprak.

Pas përfundimit të fazës së ankimimit, komisioni i vlerësimit publikon listën përfundimtare, e cila i vihet në dispozicion Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Do jetë ky i fundit ai që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve që do t’u besohet drejtimi i 48 komisariateve në vend.

Fillimisht në këtë garë shprehën interes 274 aplikantë, por vetëm 251 prej tyre iu nënshtruan procesit të intervistimit, pasi 23 të tjerë u tërhoqën nga gara.

Tv Klan