Kartat e identitetit kanë qenë në qendër të debatit mes demokratëve dhe socialistëve në kuvend.

Pas propozimit publik të kryetarit Rama Partia Socialiste ka depozituar në kuvend një nismë ligjore për shpërndarjen e kartave falas për të varfrit, ndërsa përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se aplikimi për karta ka probleme.

Valentina Leskaj: “Çështja e pagesës është një nga arsyet madhore që edhe atje ku ka filluar puna fluksi i aplikimit është i ulët. Një banor i fshatit merr sot tetëqind lekë ndihmë ekonomike dhe për të marrë kartën e identitetit për katër anëtarë të familjes i duhet të paguajë 4 mijë e 800 lekë që i bie më shumë se pesë muaj ndihmë ekonomike, ndaj ne kemi propozuar heqjen e pagesës për shtetasit që aplikojnë për letërnjoftimin deri në datën 10 Qershor”.

Nga ana tjetër zv/kryeministri Pollo tha se procesi po ecën normalisht dhe është hipokrite për Partinë Socialiste që të kërkojë karta falas.

Genc Pollo: “Të jepen letërnjoftimet pa lekë është hipokrite. Asnjë vend i botës nuk e bën këtë, për më tepër ju dhe certifikatat i keni dhënë me lekë dhe duke dëgjuar edhe zërin e njerëzve, por edhe zërin tuaj për t’ju respektuar aq sa ju takon kemi marrë para një muaji masa për të subvencionuar letërnjoftimin. Jemi me 13 mijë aplikime në ditë dhe synojmë të shkojmë së shpejti në 15 mijë aplikime në ditë”.

Debati për kartat ka vijuar mes palëve në shifra, ndërsa ministri Nishani ka deklaruar se brenda Marsit stacionet e aplikimit për karta identiteti do të shtrihen në të gjithë vendin./tvklan.al