Parlamenti miratoi dhënien me koncesion të Aeroportit të Rinasit ndaj shoqërisë “Tirana airport partner”. Marrëveshja e qeverisë shqiptare hasi në kundërshtimet e opozitës për sa i takon termave teknikë- financiarë si dhe faktit që në të mund të ndërhyhet edhe pas ratifikimit nga parlamenti.
Dashamir Shehi: “Sa herë që shkon kryeministri ynë jashtë shtetit, shitet një cep i Shqipërisë, të jeni të sigurt për këtë punë. Kur shkoi në Itali, na vjen me një kontratë plehrash këtu, niset në Gjermani na niset me një kontratë në xhep, shkon në Liban, na vjen me një kontratë çimentoje, po të shkojë në Amerikë na vjen ndonjë tren elektrik. Nuk mund të negociohet më kështu ekonomia shqiptare, pasuria kombëtare.”

Përballë opozitës ka reaguar ministri Angjeli, sipas të cilit shteti shqiptar nuk regjistron asnjë humbje financiare me këtë marrëveshje.

Anastas Angjeli: “Unë dua të siguroj të gjithë shqiptarët që ne përfitojmë aeroportin, kush nuk e kupton këtë, ose nuk do, ose bën sikur nuk e kupton dhe nuk përfitojmë 3 mln euro siç tha, 3 mln euro janë pagesa e garancisë që bëjnë partnerët për t’u siguruar se tek ne që do të fillojnë investimin. Janë një tip gjobe paradhënie që paguajnë dhe është pak ironike të vish këtu në parlament dhe të thuash që ne përfitojmë 3 mln euro.”

Parlamenti miratoi dhe dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Sokrat Sinaj në krye të komitetit për kthimin dhe kompensimin e pronave pa kosensusin e Partisë Demokratike. Në emër të grupit, Sali Berisha u deklarua kundër kësaj kandidature, ndërsa socialisti Ruçi kërkoi respektim të marrëveshjes nga demokratët.

Sali Berisha: “Po mua nuk mund të më bindë Fatos Nano që i dikton presidentit të emërojë produktin e klanit të Zemunit këtu. Ka vetëm një meritë, ka shnëdrruar Agron Dukën në pasunarin, në feudalin e vërtetë të Shqipërisë së Mesme i cili ka shtrirë pronat nga Divjaka në Gjirin e Lalzit.”

Gramoz Ruçi: “Jo çdo njeri mund ta bëjmë pis zoti Berisha, unë nuk kam ndonjë njohje personalisht me të, por jam i detyruar që para CV-së së tij të pohoj që kjo është një kandidaturë e gjetur. Unë nuk kam deklaruar asnjëherë që zoti Topi, në emrin tuaj, dha konsensusin për këtë çështje.” /tvklan.al