Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Të enjten parlamenti miraton përbërjen e komisionit hetimor mbi Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, këtë vendim mori kryetari i Kuvendit Pëllumbi pas kërkesës së PD edhe pse kryetari i grupit parlamentar socialist u shpreh, se nuk është koha.

Gramoz Ruçi: “Sa merak jeni bërë, ajo sot ka ardhur si kërkesë, juve menjëherë, se ç’vendim do të marrë grupi, kur të jetë në agjendën e parlamentit do të marri një vendim i cili do të shpaloset në mbledhjen e parlamentit, ç’keni ju? Kjo nuk është fare çështje emrash, çështjet e emrave është në fund fare pasi bëhet vendimi”.

Mbledhja e byrosë diskutoi gjithashtu mbi mocionin për debat, kërkuar nga grupet parlamentare të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate të Re. Mazhoranca propozoi që mocioni për çështjen e integrimit të kalojë në seancën plenare të datës 3 Maj. Nga ky debat parlamenti do të dalë më një rezolutë, si dhe do të shqyrtohet për herë të parë projektligji për integrimin.

Çështja çame u diskutua sërish në mbledhjen e byrosë parlamentare. Ballistët kërkuan që kryetari i Kuvendit të mbajë qëndrim, duke e konsideruar të turpshëm votimin e rezolutës seancën e kaluar, ndërsa legalistët kërkuan që kryeministri të përgjigjet në seancë pyetjesh, për rezolutën e miratuar në 12 Qershor 2003 nga Kuvendi, për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.

Ekrem Spahia: “Për këtë çështjen çame, për zgjidhjen e problemit që kanë të bëjnë me efektet e ligjit të luftës 1940. Pyetja e dytë është, si është zbatuar nga qeveria shqiptare, pika 4 e rezolutës, që shprehet: “U bën thirrje qeverive të dy vendeve, që mbi bazën e një vullneti politik, të udhëhequr nga fryma e mirëbesimit, të punojnë për gjetjen e zgjidhjes racionale të kënaqshme, të çështjes së pronësisë çame në Greqi”.

Uran Metko: “Do të mbështesja zotin Spahia, që brenda kalendarit, zoti kryeministër të harrojë ato udhëtime dhe ato agjendat apo sfilatat e veta që organizon dhe të vijë të përgjigjet për këto probleme kaq madhore që ka Shqipëria”.

Për mazhorancën çështja çame quhet e mbyllur.

Gramoz Ruçi: “Dhe të gjithë duhet të mësohemi që verdiktet që japin institucionet kushtetuese, janë të padiskutueshme nga askush”.

Pas konsensusit me opozitën, socialistët janë zënë me njëri-tjetrin për barazinë gjinore. Meshkujt u përfaqësuan nga Namik Dokle, ndërsa femrat nga Makbule Çeço. Presidenti i republikës ka kërkuar rishqyrtim të projektligjit të miratuar nga Kuvendi për barazinë gjinore. Mosmarrëveshja mes zv/kryeministrit Dokle dhe nënkryetares së Kuvendit Dokle ka vazhduar dhe pas mbledhjes së byrosë parlamentare./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj