Ekspertët nxisin debatin mbi ndarjen e re administrative. Një çështje për të cilën politika nuk ka ende afate të qarta për kohën dhe modelin që duhet të zbatojë. Forumi për Demokraci dhe Etikë, organizator i tryezës me ekspert dhe përfaqësues të politikës, e sheh procesin te lidhur me ndryshimet kushtetuese që përcaktuan një sistem të ri zgjedhor. Çfarë duket se krijon paqartësi është ndryshimi i ri i konceptit të qarkut nga ai i rajonit, kjo bazuar në përkufizimin që i jep Bashkimi Europian.
Besnik Aliaj: “Në qoftë se do t’i referohemi konceptit europian të BE-së që unë e shpjegova më parë, në Shqipëri mund të kemi 3 deri në 4 rajone”.
Fatos Beja, nënkryetar i kuvendit, thotë se ndarja administrative nuk është një proces i lidhur me zgjedhjet, ndaj dhe marrja e vendimeve në këtë drejtim kërkon maturi dhe sigurisht konsensus.
Fatos Beja: “Ndryshimi i kushtetutës ka të bëj me kodin, me zgjedhjet por jo aq me territorin në kuptimin që korrelacioni i drejtpërdrejtë midis zgjedhjeve është ai që zgjidhet dhe ata që e zgjedhin. Vetë ligji miratohet nga parlamenti dhe kështu që është konsensusi është i detyrueshëm, ashtu si është e detyrueshme për çdo tentativë që do të bëhet në rindryshim të kufijve territorial administrativ vullneti i komunitetit”.
Ylli Bufi, gjithashtu nënkryetar i kuvendit shprehet për zgjedhje të shpejta në këtë drejtim, për vonesat sipas tij përgjegjësia është e të dy krahëve të politikës.
Ylli Bufi: “Janë ato llogaritjet që bëjmë ne në partitë tona si i intereson më mirë njërës politikë apo tjetrës dhe kjo gjithmonë bëhet pengesë qoftë në këtë rastin e reformës ndarjes territoriale. Modeli ynë që duam të ndërtojmë, duhet të bazohet në këto dy nivele, në komuna në bashki dhe qarku”.
Debati nëse duhet të përmirësohet apo jo ndarja aktuale administrative, rindizet sa herë vendi i afrohet proceseve zgjedhore. Më të interesuarit duken ekspertët për shkak edhe të paqartësive që ekzistojnë në këtë drejtim, ndërsa politika vazhdon të jetë e mbërthyer në dilemë që siç u tha në tryezë lidhjet dhe me llogaritje elektorale./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Enver Shehu