Lirie Preçi tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan se që në vitin ‘94 jeton në Babrru dhe gjithmonë ka qenë e rregullt në pagesën e ujit të pijshëm. Prej 4-5 vjetësh u vendos matës uji dhe pagesat vijuan rregullisht. Por së fundmi Liria tregon se e telefonuan nga UKT ku i thonë se është debitore në shumën 2 milionë e 200 mijë lekë të vjetra.
Në këtë pikë në UKT u paraqit bashkëshorti i zonjës, Bashkim Preçi të cilit iu komunikua se janë debitorë në një kontratë që sipas UKT-së kanë hapur. Liria thotë se nuk ka hapur kurrë një kontratë të re, por sipas saj diku është bërë gabim. Ajo tregon se në lagjen e tyre ka qenë një tjetër person me emër e mbiemër njësoj me burrin e saj.
Gazetarja e “Stop” interesohet në zyrat e UKT-së, ku drejtoresha ekonomike Elona Pasha shpjegoi se rasti u verifikua dhe u kuptua që ishte një gabim identiteti, ndaj debia e kontratës së dytë do t’i hiqet familjes denoncuese./tvklan.al