Policia e Tiranës zbardhi ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Fushë Mëzes ku një 15-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri.

Uniformat blu thonë se kanë shpallur në kërkim 29-vjeçarin Nazmi Pëllumbi, xhaxhain e adoleshentit. Ai dyshohet se ka pasur një konflikt për motive të dobëta me vëllanë binjak, Florant Pëllumbi dhe për këtë arsye ka qëlluar me armë zjarri drejt tij. Mirëpo nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht nipi i tyre.

“Në vijim të veprimeve për këtë rast: u shpall në kërkim shtetasi Nazmi Pëllumbi, 29 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njoftoi policia.

Në pranga është vënë vëllai tjetër binjak i përfshirë në këtë ngjarje. Policia ka ushtruar kontrolle dhe ka gjetur në banesën e tij kokainë.

“U arrestua shtetasi Florant Pëllumbi, 29 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi kokaine, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njoftoi policia.

Efektivët pas hetimeve thanë se ngjarja është regjistruar në oborrin e përbashkët të binjakëve. Sa i përket 15-vjeçarit të lënduar, ai vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi Nazmi Pëllumbi gjatë një konflikti për motive të dobëta me vëllanë e tij binjak, shtetasin Florant Pëllumbi, në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Nga këto të shtëna ka mbetur i dëmtuar 15-vjeçari (djali i vëllait tjetër të tyre), i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve”, tha policia.

Dyshimet për një konflikt brenda familjes ishin që në fillim për policinë. Madje edhe babai dhe i mitur i plagosur dhanë dëshmi kontradiktore. Sa i përket 15-vjeçarit, sipas burimeve ai nuk ka rrezik për jetën edhe pse ka marrë 3 plumba, 1 në shpatull dhe 2 në krah.

Gazetari Besar Bajraktaraj bën me dije se grupi hetimor ka mundur të zbardhë plagosjen e 15-vjeçarit falë dëshmisë së dhënë nga nëna e këtij të fundit, e cila ka treguar se njëri prej vëllezërve ka qëlluar në drejtim të tjetrit dhe plumbat kanë kapur djalin e saj.

Sipas saj, konflikti mes të dyve ka nisur fillimisht për shitjen e lëndëve narkotike kokainë, debat që ka degraduar deri në nxjerrje arme. Dyshohet se binjakët janë përfshirë në shitjen e kokainës./tvklan.al