“Aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA është e palëkundur”

Presidenti Ilir Meta  ka reaguar pas deklaratës së Departamentit të Shtetit të SHBA, duke u shprehur se e vlerëson maksimalisht.

Në një komunikatë zyrtare, Presidenti i vendit ka përshëndetur qëndrimin e mbajtur nga DASH, ndërsa shprehej se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Presidenti Meta konfirmon vendosmërinë e Tij për të bashkëpunuar ngushtë me DASH dhe SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar në bashkëpunim me SHBA dhe Komisionin e Venecias. Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Sipas kreut të shtetit, aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA dhe miqësia e shkëlqyer midis dy vendeve dhe popujve është e palëkundur.

Më herët ditën e sotme, Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh se është në dijeni të komenteve të Presidentit Shqiptar Ilir Meta ndaj ambasadës amerikane në Tiranë dhe diplomatëve të saj dhe se po vëzhgojnë situatën. 
/Tvklan.al