Ardian Fullani: “Ndikimi direkt në vendet në zhvillim ku bën pjesë dhe Shqipëria, është rënia e kërkesës për eksportet e tyre, rënia e investimeve të huaja dhe shtrëngimi i kushteve të huamarrjes në tregjet botërore. Në këtë ambient të pafavorshëm ekonomia shqiptare ka regjistruar një ecuri krahasimisht pozitive.”

Kjo deklaratë lexohen nga ekspertët e ekonomisë në mënyra të ndryshme. Zef Preçi e konsideron optimiste analizën e fundit të Bankës së Shqipërisë ku flitet për një rritje ekonomike pozitive në kushtet e një krize globale.

Zef Preçi: “Këtë deklarim e shoh si një konfirmim të faktit që Shqipëria nuk ka pësuar rënie ekonomike. Pra rritje ekonomike negative, natyrisht rritja ekonomike e pritshme do të jetë modeste, por gjithsesi është pozitive, pra jemi në anën pozitive, optimiste të  zhvillimeve të pritshme. Kjo tregon se është ç’tensionuar situata mbas përfundimit zyrtarisht të zgjedhjeve, gjë që do të thotë që ekonomia do të fillojë të ringrihet, pra e shoh në sensin optimist.”

Ndërsa për ekspertin e institutit Agenda, Gjergj Filipi, fjala e guvernatorit konfirmon shkallën e prekjes së Shqipërisë nga kriza ekonomike, ndërkohë që dhe e ardhmja është po aq e turbullt nëse qeveria nuk do të shohë me kujdes të ardhurat dhe shpenzimet.

Gjergj Filipi: “Deklarata e guvernatorit nuk mund të jetë optimiste. I është dashur guvernatorit kësaj radhe që të bëjë zërin e tretë të munguar tani më me largimin e FMN-së nga Shqipëria. I është dashur të bëjë një deklaratë të tillë edhe në kontekstin e zhurmës që po bëhet për normat e rritjes ekonomike të Shqipërisë për vitin 2009. Janë disa sinjale të ndezura gjatë fjalës së guvernatorit. I pari lidhet me përkeqësimin e llogarisë koherente.”

Ndër shqetësimet e guvernatorit Fullani ishte edhe ecuria negative e të ardhurave nga emigrantët, 8 % më e ulët gjatë muajve të parë të vitit krahasuar me një vit më parë, çka reflektohet te kursi i këmbimit. Për Filipin leku do të vijojë të humbë terren gjatë muajve në vijim.

Gjergj Filipi: “Pika më e ulët e mundshme e këtij kursi të euros karshi lekut duhet të ishte ky moment tani ku kemi prurjet e emigrantëve të cilët edhe të turistëve. Praktikisht në verën e vjetshme ramë nën  120, sivjet s’kemi shkuar dot nën 127 gjë që tregon që vjeshta pret të rrisë kursin e këmbimit ose të zhvlerësojë më tej lekun.”

Për tu mbrojtur nga luhatshëmria e kursit të këmbimit Preçi hedh mendimin e zëvendësimit të monedhës shqiptare me atë europiane.

Zef Preçi: “Mendoj që janë pjekur kushtet që në mënyrë të njëanshme Shqipëria të zëvendësojë monedhën e saj kombëtare me euron. Në këtë mënyrë bëhet një mbrojtje edhe de juro se de fakto ekziston dhe do ndodhte siç edhe ndodhi që zhvlerësimi i 8 apo 10% i monedhës tonë kombëtare të mbartet i gjithi mbi ekonominë tonë kombëtare dhe mbi klient e bankave.” /tvklan.al

Gazetar: Fjoraldi Zguro