Monedha vendase pritet të forcojë pozitat ndaj euros, teksa ka humbur mjaft terren nga fillimi i vitit, kohë kur 1 euro këmbehej me 123,5 lekë ndërsa sot me 132,6. Brenda qershorit do të jenë rreth 350 milionë euro të cilat do të injektohen në ekonominë vendase, valutë që pritet të ndikojë në kursin e këmbimit në favor të lekut.

Ministria e financave konfirmon marrjen e transhit të parë prej 95 milionë eurosh, pjese e kredisë 250 milionë euro e siguruar këtë fillim muaji nga disa banka ndërkombëtare, e konsideruar si një arritje nga FMN dhe banka botërore.

Xhentil Demiraj: “Transhi i parë është gati dhe transhi i dytë pritet të agregohet dhe disbursohet brenda muajit qershor. Kemi një prurje të pritshme prej rreth 250 milion euro në formën e … . Përveç kësaj brenda 2 javëve të ardhshme presim evetualisht mbylljen e marrëveshjes së privatizimit të OSSH-së dhe prurje respektive 102 milion eurove që do të vijnë gjithashtu në llogarinë e qeverisë.  Të gjithë ato së bashku në një periudhë 2-3 mujore besojmë që do të arrijnë të shkaktojë një presion të konsiderueshëm ndaj kursit të këmbimit duke favorizuar lekun dhe duke ulur për raportin euro me lek.”

Në favor të forcimit të lekut, përveç kredisë dhe të ardhurave nga privatizimi i OSSH-së gjatë javëve në vijim, do të ndikojnë edhe flukset valutore të emigrantëve apo turistëve të huaj.

Në raportin e fundit Banka e Shqipërisë vëren se ecuria e kursit të këmbimit ka vijuar tendencën nënçmuese edhe gjatë muajit prill, gjë e cila nuk ka lejuar përcjelljen e çmimeve të ulëta në tregjet botërore në çmimet e konsumit në Shqipëri./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro