Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin  5.75%. Sipas saj, vendimi erdhi për shkak se për muajin shkurt inflacioni vjetor rezultoi në nivelin 1.9% , duke shënuar kështu një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit të Bankës Shqipëria ka pasur një atmosferë pozitive makroekonomike, e cila është shoqëruar me politikat e duhura monetare të bankës ka bërë që inflacioni të mbahet nën kontroll.

Në uljen e nivelit të përgjigjëm të çmimeve efektin kryesor e kanë pasur ulja e çmimevetë grupit të ushqimeve si dhe tendenca në ulje e çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet ndërkombëtare. Banka thekson se Shqipëria vazhdon të jetë imune ndaj krizës botërore. Megjithatë, sipas saj, efektet e para në ekonomi kanë filluar të ndihen, sidomos në sektorin e eksporteve, për shkak të rënies së çmimeve.

Problematik është ngadalësimi i mëtejshëm i kreditimit të ekonomisë, i cili vetëm për muajin janarka shënuar një rënie me 32 për qind, rënie kjo që ka ardhur si pasojë e shtrëngimit të kushteve të kreditimit nga bankat. Në terma vjetorë, kredia në lekë u rrit me 34 %, kurse ajo në valutë me 30%, çka do të thotë se bankat tashmë janë më të prirura të kreditojnë në monedhën vendase.

Ajo që ka shënuar rritje të dukshme ka qenë kredia për biznes, e cila ka shënuar një rritje me 35 për qind, në një kohë që kredia konsumatore ka shënuar një rënie me 26.1 %.  Për sa i takon tregtisë me jashtë, importet kanë shënuar një rënie të ndjeshme duke ndikuar kështu në uljen e deficitit tregtar. Ecuria e treguesve fiskalë gjatë këtij viti ka ecur përgjithësisht sipas niveleve të planifikuara./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj