Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Arjan Konomi:- “Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim acarimin e marrëdhënieve midis opozitës dhe mazhorancës, në Kuvendin e Shqipërisë, për sa i takon ngritjen e komisionit të deputetëve mbi hetimin parlamentar, për përdorimin e fondeve publike në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe në Bashkinë e Tiranës. Presidenti Moisiu gjatë javëve të fundit ka zhvilluar një sërë takimesh me kryetarin e Kuvendit, kryetarët e opozitës dhe të mazhorancës, me deputetë, me specialistë të çështjeve kushtetuese, gjatë të cilave është njohur nga afër me mendimet dhe qëndrimet e tyre, në lidhje me këtë çështje. Për të mos lejuar tensionimin e mëtejshëm të marrëdhënieve pozitë-opozitë dhe për t’i gjetur një rrugëzgjidhje të kësaj çështjeje, e cila do t’i mundësonte një proces politik normal, presidenti Moisiu, kërkon nga forcat politike, që të rishikojnë formulimin dhe qëndrimin e tyre në lidhje me kërkesën e bërë për hetimin parlamentar mbi përdorimin e fondeve publike, në Ministrinë e Kulturës dhe në Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu, presidenti Moisiu, kërkon që Kuvendi të respektojë me rigorozitet Kushtetutën dhe aktet ligjore, në fuqi në lidhje me këto komisione. Presidenti Moisiu, mbetet i vendosur të respektojë Kushtetutën dhe ligjin në dobi të forcimit të shtetit të së drejtës dhe kërkon që debati politik i ditëve të fundit në parlament, të mos dëmtojë klimën politike të krijuar në vend dhe procesin e reformave politike dhe institucionale”./tvklan.al