Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ashpërsuar tonet ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Për të folur lidhur me këto deklarata ndaj kreut të SPAK nga Meta, i ftuar në studion e emisionit ‘Opinion’ në Tv Klan është edhe gazetari Enton Abilekaj, i cili shprehet se gjuha e përdorur nga ish-Presidenti është fyese dhe personale ndaj Dumanit.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Abilekaj u shpreh se nuk mund të gjykojmë Dumanin derisa të njihemi me dosjen dhe se zgjedhjet e 2021 janë thelbi i gjithë kësaj që po ndodh në Partinë e Lirisë sot. Gazetari u shpreh se një kryetar partie në opozitë mund të bëjë kontroll, ndaj punës së SPAK, por jo mbi bazën e problemeve personale.

Enton Abilekaj: Gjuha e Ilir Metës ndaj SPAK e para është personale dhe e dyta është fyese. Ilir Meta kur është hapur çështja në 2019 e CEZ-DIA nuk ka qenë Dumani, por ka qenë Arben Kraja, të cilin Ilir Meta nuk e ka sulmuar asnjëherë sepse e ka pasur edhe vartës në Kryeministri.

Silva Caka: Kemi pasur goxha reagime kur u mblodhën në një ditë të nxehtë gushti për të firmosur diçka në lidhje me autoritetin e dosjeve. Nuk mund të thuash se nuk ka pasur një lloj përplasje me zotin Kraja.

Enton Abilekaj: Se kemi dëgjuar të thotë. S’ka rëndësi, rëndësi ka që ky sulm është një sulm personal.  E dyta sulmet ndaj Dumanit nuk më duken as të besueshme dhe as të logjikshme. Ne do ta marrim… Nuk më duket shumë e besueshme kjo, gjithsesi kur një parti opozitare… Unë jam një kritik i punës së SPAK dhe qeverisë dhe kur e bëj këtë, e bëj në bazë të punës dhe dosjeve që janë në diskutim. Një kryetar partie në opozitë mund ta bëjë edhe këtë kontroll, por duhet ta bëjë këtë jo mbi bazën e hallit personal, por mbi bazën e punës që ka bërë SPAK, ku mund të përfshihet edhe halli i vet personal. Ne kemi një sulm të ndërtuar deri tani në një hall personal ku është përmendur edhe Berisha në këtë hall personal, por nuk është ngritur një analizë minimale që të tregojë pse SPAK…

Blendi Fevziu: Pse po e bën Meta këtë?

Tedi Blushi: Sepse ka pasur një tentativë për të sekuestruar Partinë e Lirisë përmes njerëzve të marrë peng.

Enton Abilekaj: Të arrish në konkluzion mbi ca fakte që nuk janë të njohura unë nuk mund ta gjykoj. Kemi një palë kundër një pale tjetër. Nuk mund ta gjykojmë Dumanin a ka bërë mirë që i ka hapur dosje Ilir Metës apo jo se unë nuk e di dosjen. Kur të shohim dosjen mund të japim mendim. Këto janë gjëra që nuk mund të aludosh. Kjo e Metës është çështje që ai e ka ndërtuar mbi marrëdhënie personale, pasi dyshon se Dumani është duke e hetuar për ta futur në burg. Vetëm kështu mund të shpjegohet. E dyta është se ne duhet të kuptojmë se 2021 është thelbi i gjithë kësaj që po ndodh në Partinë e Lirisë sot, pra reflektimi ndaj një ngjarje që ishte humbja, për shkak të blerjes së votave./tvklan.al