Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë informacion lidhur me verifikimet e deritanishme që janë kryer ndaj Valdrin Pjetrit, pas denoncimeve të Partisë Demokratike.

Përmes një njoftimi për mediat, Prokuroria sqaron se kërkesa e PD për verifikimin e Pjetrit është regjistruar më datë 5 Gusht 2019, ndërsa të nesërmen është marrë në administrim formulari i Vetëdeklarimit të tij.

Po në datë 6 Gusht, organi i akuzës bën me dije se i është dërguar shkresa për verifikim Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë (prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, prokurorive pranë gjykatës së apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda).

Po kështu, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë, kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke iu kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të Valdrin Pjetrit.

Më 9 Gusht, Valdrin Pjetri depozitoi shenjat e gishtave për verifikim. Më 14 Gusht, Prokuroria i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë ndihmë juridike për këtë rast, duke i bashkangjitur të dhënat kriminale të dënimit penal në shtetin italian.

Më datë 14.08.2019, është dërguar shkresa pranë Departamentit të Administratës Publike për tërheqjen e Formularit të Vetëdeklarimit të subjektit Valdrin Pjetri, të depozituar më parë prej tij, si subjekt i ligjit Nr. 138/2015.

Më 16 Gusht, Departamenti i Administratës Publike ka paraqitur Formularin e Vetëdeklarimit të Valdrin Pjetrit.

Më datë 19, Instituti i Policisë Shkencore dërgoi në Prokurorinë e Përgjithshme gjurmët daktiloskopike të  depozituara nga Valdrin Pjetri dhe më pas u dërgua shkresa pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Aktualisht, Prokuroria e Përgjithshme është në pritje të përgjigjes nga autoritetet italiane të drejtësisë dhe ato policore.

Valdrin Pjetri, i zgjedhur kryebashkiak i Shkodrës nga zgjedhjet e 30 Qershorit, dha dorëheqjen pas denoncimeve të Partisë Demokratike, pa marrë ende mandatin. /tvklan.al