Lajme Arkiva 2003

Gjykata e Faktit në Korçë i ka dhënë fund gjykimit të policëve përgjegjës për vdekjen e Gazmend Tahirllarit duke dënuar me 16 vjet heqje lirie të akuzuarin kryesor. Tahirllari gjeti vdekjen pas shoqërimit në komisariatin e policisë në datën 3 janar të këtij viti ku mbi të u ushtrua dhunë fizike.

Menjëherë pas vdekjes së tij në regjistrin e spitalit të qytetit u shënua se viktima kishte ndërruar jetë për shkakto të sasisë së lartë të alkoolit në gjak. Por me këmbënguljen e familjarëve të tij dhe Avokatit të Popullit u bë zhvarrimi i të ndierit me qëllim zbardhjen e shkakut të vdekjes, i cili sipas ekspertëve ligjor nga Tirana rezultoi dhunë fizike.

Pas kësaj u ngrit dhe akuza për vrasje me dashje ndaj inspektorit të krimeve Lorenc Balliu i cili është personi kryesor që ka dhunuar viktimën. Gjykata e Korçës ka dënuar Balliun me 16 vjet heqje lirie.

Me tre vite burg është dënuar komandanti i togës së shoqërimit më akuzën kryerje e veprimeve arbitrare ndaj viktimës ndërsa tre policë të tjerë në akuzë janë dënuar me nga 4 muaj heqje lirie për mos kallëzim krimi./tvklan.al