Lajme Arkiva 2004

Ambasadori Lutz Salzman prezantoi raportin përfundimtar të Komisionit Evropian në Komisionin Parlamentar të Integrimit.

Deputetë të pozitës dhe opozitës kërkuan nga diplomati evropian që të shprehte qartë se ku çalonte puna e qeverisë dhe integrimit në Bashkimin Evropian, si mund të zgjidhej problemi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar.

Deputeti demokrat Mustafai, pyeti nëse binte ndesh kërkesa për konsensus politik në ndërtimin e shtetit ligjor, në një kohë kur ndërkombëtarët vlerësojnë mungesën e vullnetit të qeverisë  për implementimin e strategjive dhe ndërhyrje të dukshme të politikës në ekonominë informale dhe sistemin gjyqësor.

Në përgjigjet e tij ambasadori Salzman ju përmbajt raportit të prezantuar në një ditë më parë duke shtuar se zgjedhjet e reja janë në prag dhe pa përmirësimin e kodit elektoral dhe kompozimin  e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ndryshimet në listat e zgjedhësve Shqipëria do  të ketë sërish probleme.

Deputetët e shumicës parlamentare vlerësuan pas takimit se vërejtjet e ndërkombëtarëve qëndrojnë duke njohur dhe përgjegjësit e Partisë Socialiste.

Arta Dade: Është një përpjekje që bëhet në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Komisionit Evropian madje që prej 2001 dhe natyrshëm konfliktet brenda një mazhorance që qeveris vendin në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të tij siç është procesi i integrimit evropian pa dyshim që ndikon në ngadalësimin e reformave.

Vangjel Dule: Raporti edhe një herë tjetër tregon se sa e vështirë është rruga jonë e integrimit në Bashkimin Evropian dhe sa përpjekje konsekuente të përbashkëta pa dallim midis forcave  politike duhet t bëjmë të gjithë si klasë politike me qëllim që tu përqasemi gjithmonë e më tepër realiteteve evropiane./tvklan.al