Pas fitores në debutim ndaj Juventusit, trajneri Sergio Conceicao synon një tjetër sukses. Këtë herë shkalla e vështirësisë për Milanin është më e madhe, pasi përballë janë rivalët e qytetit, Interi.
Në konferencën për shtyp, Conceicao deklaroi se shpreson që skuadra e tij të jetë më mirë se ai, për shkak të gjendjes gripale që po kalon.
Tekniku portugez vlerësoi kundërshtarin, ndërsa për trajnerin Simone Inzaghi tha se e ka mik, pavarësisht përplasjeve në të kaluarën.
“Shpresoj që skuadra të jetë më mirë se unë, sepse nuk jam në më të mirën time. Jemi përgatitur mirë për këtë finale ndaj Interit, një ekipi të fortë që në vitet e fundit është mësuar të fitojë. Duhet të tregohemi burra dhe të marrim përgjegjësitë tina. Kemi një ditë më pak pushim dhe disa lojtarë që kthehen nga lëndimet nuk mund të jenë në maksimumin e tyre, por kjo nuk është alibi.
Nuk kam ndonjë ndjenjë të veçantë për shkak të të kaluarës sime te Interi. Unë respektoj çdo ekip për të cilin kam luajtur në të kaluarën. Dua të përgatis një ndeshje sa më të mirë dhe t’i jap lojtarëve indikacionet e duhura për të mposhtur Interin. Duhet të kemi urinë për fitore. Një gjysmë hapi e kemi bërë, tani na duhet edhe gjysma tjetër. Italia është shtëpia ime e dytë dhe jam shumë i lumtur që drejtoj një klub historik si Milani.
Leao nuk është i gatshëm për 90 minuta, por do e shikoj sot nëse mund të jetë i gatshëm për këtë përballje.
Fati nuk vjen nëse nuk punon. Fati vjen me punë dhe nëse je serioz në atë që bën. Duhet të jemi të uritur, të organizuar dhe me pak fat. Përplasja me Inzaghin? Ka episode të tilla në futboll. Nuk ka munguar asnjëherë respekti ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi njerëz të fushës dhe ndodh ndonjëherë. Simone do të jetë miku im, para dhe pas ndeshjes, por jo gjatë ndeshjes”, u shpreh Conceicao.
Finalja e Superkupës së Italisë, mes Interit dhe Milanit, është planifikuar të luhet këtë të Hënë të 6 Janarit, në orën 20:00 në Riad të Arabisë Saudite. /tvklan.al