Ish-kryeministri vijon me akuzat ndaj prokurorëve: Gjeta aty një atmosferë mortore, shihnin si të hutuar…
Pas rreth dy orësh, ish-kryeministri Sali Berisha doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku u mor në pyetje si person nën hetim për aferën që ka të bëjë me ish-kompleksin “Partizani”.
Në prononcim për gazetarët ai tregoi me detaje se çfarë ndodhi brenda SPAK. Si herët e shkuara, Berisha vijoi me akuzat për prokurorët, duke i cilësuar si persona që zbatojnë urdhrat politikë të kryeministrit Edi Rama.
“Si mercenarë që përdoren prej tij…Kam ardhur këtu ju thashë të shemb piramidën e turpshme të mashtrimit që keni ndërtuar, me shpifje, falsifikime në të cilën nuk ka asgjë të vërtetë. Ka vetëm zbatim të porosisë politike, ju si grup i strukturuar kriminal jeni angazhuar kundër opozitës shqiptar dhe ju garantoj se do merrni të gjithë ndëshkimin e merituar. Jam këtu për të shembur piramidën tuaj, për të denoncuar aktet tuaja antikushtetuese dhe masat kundër Sali Berishës në shkelje të neneve të Kushtetutës. Jam këtu thashë për të denoncuar aktet tuaja antiligjore, vendimin tuaj për t’i marrë pushtetin Parlamentit për llogari të Edi Ramës, refuzimin e provave që s’mund të ndodhë kurrë në një vend sepse provat ishin shkatërrimtare për ta. Refuzuan prova që shembin totalisht piramidën e tyre, ekspertizën e ekspertëve të pavarur që tregon shëmtinë e tyre, dokumente që faktojnë se kanë zbatuar urdhrin politik të Ramës”, tha kryedemokrati.
Ish-kryeministri shprehet se ka qenë ai që u ka drejtuar një sërë pyetjesh prokurorëve, duke shtuar se ata kanë refuzuar provat që kanë paraqitur avokatët e tij për të rrëzuar vendimin e Gjykatës.
“I pyeta cili nga ju ka bashkëpunuar me McGonigal-in, se kanë bashkëpunuar, janë këtu kriminelët. Unë gjeta aty një atmosferë mortore, mortore, domethënë shihnin si të hutuar dhe nuk dinin si të përgjigjeshin. Taulant Balla, fytyrat u prishën komplet. Natyrisht u përgjigja të gjitha…s’kishin pyetje ata, ishin vetë denigrim siç kanë bërë me dosjen ku thonë se vendimi për letrat me vlerë u mor për të favorizuar. Është marrë një muaj para se Malltezi të kishte paguar 95% të asaj që u takonte si familje, kishte mbetur 5% nga të cilat përfitoi Malltezi thonë këta. Shihni ku i çon urdhri politik këta. Të lutem se po i marr me radhë…”, shtoi Berisha.
Siç u raportua më herët, ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Minollai ata të cilët i drejtuan sot pyetje Berishës. Ky i fundit ndodhet në arrest shtëpiak prej 30 Dhjetorit 2023. Kujtojmë se në kohën kur i ishte caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” ai nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues. Kryedemokrati akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është nën hetim për pastrim parash.
Edhe pse për më shumë se 3 javë Berisha nuk lejohet të dalë jashtë shtëpisë së tij, ai e ka gjetur mënyrën si të komunikojë me demokratët. Nga dritarja e banesës së tij, ai del e mban fjalime çdo pasdite në orën 17:00, duke bërë thirrje për protesta kundër qeverisë./tvklan.al