Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë çmime stratosferike për udhëtimet nga aeroporti i Tiranës drejt vendeve të tjera.
Të dhënat online nga kompanitë e fluturimit tregojnë se përpjekja e qeverisë shqiptare për të ulur çmimet e biletave, nëpërmjet heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare për aeroportin e Rinasit, ka dështuar.
Arritja e marrëveshjes me mburrje në Prill të këtij viti nuk solli asnjë ndryshim për xhepat e qytetarëve, përkundrazi vazhdon të jetë i pranishëm i njëjti trend, madje me çmime më “të kripura” në këtë periudhë.
Mjafton një klikim i thjeshtë në internet, për të parë se sa kushton në datë 1 Shtator një fluturim nga Aeroporti i Tiranës drejt vendeve të tjera, në krahasim me nisjet për të njëjtat destinacione, por nga aeroportet fqinje.
Të udhëtosh nga Tirana drejt Parisit, ditën e enjte, vetëm vajtje, më e pakta kushton 362 euro.
Për të njëjtin udhëtim dhe në të njëjtën ditë, nga Shkupi kushton 233 euro, afro 130 euro më pak, ndërsa nga Podgorica kushton afro 200 euro, pra 162 euro më pak se nga Tirana.
Për ata që udhëtojnë drejt Londrës ditën e enjte, bileta më e lirë vetëm vajtje kushton 651 euro, 295 euro më shtrenjtë se nga Podgorica.
Lëvizje çmimesh me diferenca të mëdha ka pothuajse për të gjitha destinacionet me nisje nga Rinasi.
Nësë vendos të udhëtosh të enjten nga Tirana drejt Milanos, biletën më të lirë e gjen me 676 euro, ndërsa nga Podgorica e gjen 362 euro më lirë me vetëm 314 euro.
Agjencitë turistike thonë se situata me çmimet e biletave të fluturimit vazhdon të mbetet e njëjtë, dhe nuk ka asnjë ulje.
Sipas agjencive, arritja e marrëveshjes së qeverisë shqiptare për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare ndaj Aeroportit të Rinasit nuk funksionoi.
Tv Klan