Tryeza e partive opozitare nuk prodhoi asnjë produkt përfundimtar. Një takim që bëri lajm për nga ulja për herë ta parë pas kaq kohe të gjatë të Ramës dhe Metës në një tryezë bisedimesh, apo dhe pjesëmarrja e Vangjel Dules, partia e të cilit përfaqësohet në qeveri më një ministër.
Rama zgjodhi të flasë mbi atë çfarë u diskutua në orën 17:30, por mësohet se projektligji i ri për prokurorinë dhe përpjekjet e mazhorancës për të kapur institucionin e prokurorisë, ishin thelbi i shqetësimit të kryesocialistit.
Meta i cili i largua më herët nga tryeza tha, se kishte ripërsëritur tashmë qëndrimin e njohur për largimin e kryeministrit Berisha. Një qëndrim që duket përbën kushtin kryesor për bashkëpunim të LSI me PS.
Ilir Meta: “Takimi u zhvillua në përgjithësi në një frymë shumë konstruktive. Arsyeja ime e daljes është shumë personale. Ne ndajmë bindjen e pa lëkundur LSI se vetëm imponimi, jo kërkesa për dorëheqje të Sali Berishës, mund të çlirojë drejtësinë nga trysnia e jashtëzakonshme e tij, mund t’i japë perspektivë dhe shpresë qytetarëve shqiptar se do të ketë drejtësi edhe për Gërdecin, po dhe se do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.”
Gazetarja: “A është një rikthim bashkëpunimi me PS?
Ilir Meta: “Të shohim në rast se do të ketë vullnet për të realizuar këtë prioritet që unë e theksova edhe njëherë, imponimin e dorëheqjes së Sali Berishës, padyshim që do të ketë një bashkëpunim të fuqishëm. Në rast se do të ecet me filozofinë që Sali Berisha ka ardhur duke u çmontuar kur e vërteta është ndryshe, ai po kap të gjithë institucionet e vendit. Pastaj kuptohet që ne nuk mund të jemi për montimin e Saliut.”
Milo solli një panoramë më optimiste të tryezës opozitare.
Paskal Milo: “Unë mendoj që takimi i sotshëm ka shënuar hapin e parë drejt hedhjes së hapave të tjerë shumë më të rëndësishëm në të ardhmen për koordinimin e qëndrimeve dhe të veprimeve të opozitës shqiptare.”
Vangjel Dule i cili iu përgjigj gjithashtu pozitivisht ftesës së Ramës për takim, tha se shqetësimi për reformat bashkoi partinë e tij me opozitën në një tryezë.
Vangjel Dule: “Është çështje e profilit të saj, çështja e demokracisë e funksionimit të shtetit të së drejtës. Aq më tepër e sigurisë publike dhe funksionimit të drejtësisë. Është një çështje kjo e drejtësisë që i kalon caqet partiake, i kalon caqet qeveritare të ditës dhe rrjedhimisht kështu duhet ta shikojmë të gjithë. Nuk e kuptoj ç’lidhje ka me moralin, të jesh në një qeveri dhe të bashkëbisedosh në të njëjtën kohë me çdo forcë politike pavarësisht nëse është në pozitë dhe në opozitë për drejtësinë dhe sigurinë.”
Gazetarja: “Kishte një opsion në tryezë për largimin e kryeministrit e mbështesni?
Vangjel Dule: “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut diskutoi ato aspekte për të cilat iu fola.”
Ndryshe nga ndodh zakonisht Skënder Gjinushi një aleat i hershëm i socialistëve nuk pranoi të bëjë komente mbi takimin, ndoshta në pritje të qëndrimit zyrtar të selisë rozë./tvklan.al
Gazetare: Manada Zaimi