Vendi ku u vra Nelgert Pata është ende një skenë krimi për policinë. Agjentë janë rikthyer përsëri aty për të mbledhur dëshmi dhe prova.
Burime nga grupi hetimor thonë për Televizionin Klan se Nelgert Pata dyshohet se, prej të paktën tre ditësh ndiqej nga autorët. Prej të premtes 34 -vjeçari qëndronte në një hotel vetëm 100 metra larg vendin ku ndodhi krimi.
Gjatë kësaj kohë atentatorët kanë studiuar lëvizjet që kryente Pata, për të organizuar më pas vrasjes dhe mënyrën si do ta kryenin atë. Dyshohet se dy vrasësit kanë patur edhe një bashkëpunëtor që ka qëndruar përballë hotelit.
Sapo ka dalë, vrasësit që qëndronin në një makinë të vjedhur tip “Mercedes”, janë sinjalizuar se Pata hipi nw makinën e tij “Volksvagen” dhe po shkonte drejt tyre.
Dy breshëri kallashnikovi janë zbrazur 100 metër larg hotelit. 30 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes.
Hetuesit ende e kanë të paqartë arsyen përse 34 – vjeçari po qëndronte në këtë hotel.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së hoteli për të parë hyrje – daljet e tij, personat më të cilët shoqërohej si dhe individë të tjerë për të cilët mund të lindin dyshime.
Hetuesit kanë dyshime të arsyeshme se Nelgert Pata mund të jetë nxjerrë në pritë, pasi autorët kishin bërë planin për mënyrën e eliminimit të tij.
Një detaj tjetër që ka mundur të mësojë Televizioni Klan nga hetimi është se makina më të cilën udhëtonte viktima nuk është e tij.
Në çantën e Patës, ku mbante sende personale policia ka gjetur çelësat e një automjeti, i cili është gjetur më pas në parkimin e hotelit.
Në sitë hetuesit do të kalojnë dhe komunikimet telefonike të viktimës, për të verifikuar se me kë ka komunikuar para se të dilte nga dhoma e hotelit.
Duke patur parasysh armiqësitë e tij, Pata lëvizte gjithmonë me makinë të blinduar, por ditën e diel, ai udhëtonte më një makinë normale. Nga të dhënat rezulton se mjeti që është gjetur në parkim në pronësi të Patës rezulton me targa false.
Gjithashtu edhe mjeti i autorëve që u gjet i djegur pas krimit në afërsi të fshatit Zhupan kishte targa false italiane.
Nga mënyra e djegies së mjetit, lënia e armëve në makinën e djegur grupi hetimor dyshon se autorët janë vrasës me pagesë.
Autorët janë kujdesur deri në detaje për të mos lënë asnjë gjurmë pas. I plagosuri Ari Haliani, që drejtonte makinën ku gjendej Nelgert Pata ka deklaruar se nuk ka mundur t’i shohë në fytyrë dy vrasësit. Policia ka marrë në pyetje dhjetëra persona në Fier e Tiranë, por deri tani s’ka asnjë të ndaluar.
Tv Klan