Një ngjarje e rëndë ndodhi të shtunën e 20 Korrikut në Itali ku një 42-vjeçar shqiptar vrau me thikë një 28-vjeçar italian. Viktima është Stefano Bartoli ndërsa autori Erjon Behari, siç shkruajnë mediat fqinje.
Sipas të njëjtave burime, ata të dy janë takuar për të folur në lidhje me disa çështje financiare, por më pas situata ka degraduar në tension dhe përfundoi me vdekjen e 28-vjeçarit para shtëpisë së Beharit. 43-vjeçari është rezident në rrugën Due Giugno në Spoleto.
Dyshimet janë se Behari ka qenë nën ndikimin e alkoolit kur e goditi Bartolin me një thikë kuzhine. Gjatë marrjes në pyetje, shqiptari ka thënë se nuk kishte qëllim ta vriste italianin, por vetëm ta trembte që të ikte duke menduar se e kishte lënduar lehtë.
Megjithatë, atij i janë vënë prangat për vrasje me dashje dhe aktualisht ndodhet në burgun e Spoletos. Autoritetet kanë sekuestruar edhe armën e krimit dhe pritet të sqarojnë më mirë dinamikën e ngjarjes. Për këtë arsye, pritet edhe autopsia mbi 28-vjeçarin.
Pasi u plagos Bartoli kërkoi ndihmë tek një zonjë e moshuar, e cila bashkë me djalin e saj u përpoqën që të bllokojnë plagën. Kanë qenë ata që kanë thirrur ambulancën dhe policinë.
“Pashë një djalë duke u ngjitur në gardhin e shtëpisë dhe duke më thënë “zonjë më ndihmo, thirr ambulancën. Më kanë goditur me thikë. Isha në kuzhinë duke mbushur lavastoviljen dhe kisha dritaren e hapur”, tha e moshuara që ndihmoi të riun.
“Më pas erdhën [ambulanca] dhe e morën ndërsa në të njëjtën kohë mbërritën dhe karabinierët”, tha ajo për mediat italiane.
Bartoli dhe Behari kishin njohje prej kohësh. Të dy i përkasin botës së krimit në Spoleto. Sipas hetimeve, ata janë përgjegjës si bashkëpunëtorë për vjedhjen e disa lokaleve dhe dyqaneve muajt e fundit. Bartoli kishte disa rekorde kriminale, ndërsa Behari ishte në liri me kusht për sjellje të rrezikshme në publik./tvklan.al