Përkrahësit e projektligjit thonë se ky aplikacion është një kërcënim për sigurinë, duke pretenduar lidhjet me Pekinin
Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së ka mbështetur me shumicë dërrmuese një projektligj sipas së cilit aplikacioni i njohur TikTok ose duhet të shkëputet nga kompania kineze ByteDance që e ka në pronësi, ose të shesë asetet që të vazhdojë të përdoret në Shtetet e Bashkuara.
Projektligji u mbështet në shumicë, me 352 ligjvënës pro dhe vetëm 65 kundër. Masa vjen mes shqetësimeve se firma kineze mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA. CEO i TikTok, Shou Zi Chew tha se kompania do të bëjë gjithçka që mundet, duke përfshirë ndjekjen e të drejtave ligjore, për të parandaluar një ndalim në SHBA.
Projekt-ligji dypartiak i jep TikTok-ut gjashtë muaj kohë për t’u shkëputur nga kontrolli i huaj, përfshirë daljen nga pronësia e kompanisë ByteDance. Sipas ligjvënësve amerikanë, kompania ByteDance kontrollohet nga qeveria kineze, e cila mund të kërkojë në çdo kohë të ketë qasje tek të dhënat e konsumatorëve të TikTok-ut në SHBA në çdo kohë që dëshiron.
Nëse projektligji do të kalojë në Senat dhe më pas të nënshkruhej në ligj, kjo do të çonte në një ndalim të TikTok në të gjithë SHBA. Platforma e videove të shkurtra TikTok është jashtëzakonisht e popullarizuar tek të rinjtë dhe ka rreth 170 milionë përdorues në SHBA.
Nuk është hera e parë që SHBA përpiqet të godasë TikTok . Në vitin 2020, një përpjekje e ish-presidentit Donald Trump për të ndaluar aplikacionin u bllokua nga gjykatat pasi TikTok e paditi, duke përmendur shqetësimet e fjalës së lirë.
Megjithatë, kritikët kanë thënë se nëse projektligjet kalojnë në Senat, ka të ngjarë të kundërshtohen për vite në gjykata mbi bazën e mbrojtjes së fjalës së lirë të sanksionuar në Kushtetutën e SHBA. TikTok ka mohuar me forcë çdo lidhje me qeverinë kineze.
Klan News