Zjarret në Shkodër, Kavajë, Elbasan dhe Vlorë
Temperaturat e larta në vend duket se po favorizojnë çdo ditë krijimin e vatrave të reja të zjarrit.
10 ha pisha, shkurre dhe pemë të mbjella është dëmi i shkaktuar nga zjarri i rënë mesnatën e së mërkurës në Malin e Taraboshit në Shkodër.
Teksa ka inspektuar nga afër situatën e krijuar, drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako kërkoi nisjen e hetimeve për zbardhjen e autorëve që shkaktojnë këto zjarre masive.
“Qytetarët duhet të sensibilizohen dhe të kuptojnë se zjarri është një fatkeqësi që shkakton pasoja të pariparueshme, jo vetëm për ekonominë e përbashkët, por edhe atë individuale. Bëj thirrje për një iniciativë më të shtuar të strukturave të policisë, apo edhe prokurorisë për të identifikuar apo vënë përpara përgjegjësisë të gjithë autorët e zjarrvënieve të qëllimshme”.
Në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, flakët kanë përfshirë edhe parkun më të madh me pisha në Elbasan, atë të Kodër Krastës.
Në vendngjarje kanë shkuar punonjës të shërbimit pyjor dhe zjarrfikëset, të cilat po bëjnë përpjekje për izolimin dhe fikjen e flakëve, por puna e tyre është vështirësuar edhe më shumë, për shkak të terrenit të thyer kodrinor.
Me një situatë të rëndë po përballen prej dy ditësh edhe kodrat e fshatit Kryevidh, ku zjarri veç sipërfaqeve me ullishte e vreshta, rrezikon edhe banesat.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendin e ngjarjes në përpjekje për shuarjen e flakëve, të cilat vijojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të erës.
Zjarret kanë përfshirë mesditën e së mërkurës edhe pyllin në fshatin Mavrovë të Vlorës, ku rrezikohen edhe disa banesa. Forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve, por kjo bëhet e vështirë për shkak të terrenit të thyer.
Tv Klan