Shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, DIHA, e themeluar vetëm pak ditë më parë ka marr bekimin dhe zyrtarëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Në një ceremoni kushtuar këtij aktiviteti, ambasadori gjerman në Tiranë, priti kryeministrin Berisha, ministrin e Ekonomisë Genc Ruli si dhe përfaqësues të lartë të biznesit gjerman që operojnë në Shqipëri.

Sali Berisha: “Gjatë këtyre viteve Republika Federale Gjermane i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë në dhjetëra, në mos qindra projekte konkrete të cilat kanë ndryshuar në mënyrë pozitive dhe cilësore jetën e shqiptarëve. Shqipëria ky vend i vogël është e gatshme dhe e aftë të presë investimet më të mëdha të korporatave gjermane dhe ti shndërrojë këto investime në një histori të vërtetë suksesi. Aq sa është i vogël gjeografikisht ky vend po aq i madh është në potencialet e saj për investime, në turizëm, në energji, në miniera. Nga viti 2007 në vitin 2008 importet dhe eksportet midis dy vendeve tona janë rritur më përafërsisht me 30%.”

Berndt Borchardt: “Por pse po behet Shqipëria me tërheqëse, kjo ka të bëjë në radhë të parë me përmirësimin e kushteve të investimit dhe tregtisë , por motivohet para së gjithash me faktin që në Gjermani tanimë po bëhet gjithnjë e më e ditur që ne jemi partner në NATO dhe që në pak vite Shqipëria do të jetë edhe partneri ynë brenda BE. Që në vitin 1988 Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë së 800 milion euro gjë që është gjithashtu një mbështetje e vendit tuaj në rrugën drejt BE. Vitin e shkuar e kemi më shumë se dyfishuar mbështetjen tonë, në një vlerë prej mbi 90 milion euro për një periudhë dy vjeçare. Gjermania vazhdon të jetë po aq aktive edhe me gjithë krizën financiare ne rrisim mbështetjen tonë për Shqipërinë.”

Por bashkëpunimi mes dy vendeve nuk do të konsistojë vetëm fushën teknike dhe financiare por dhe në atë arsimore. Ambasadori gjerman premtoi se qeveria gjermane do të investojë dhe në fushën e arsimit, duke rritur numrin e bursave për studentët shqiptar në 90 bursa./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani