Ashtu siç deklaroi seancën e së enjtes opozita sërish braktisi punimet e Kuvendit, edhe pse në sallën e parlamentit të pranishëm ishin vetëm disa deputetë përfaqësues të saj. Argumenti drejtuar mazhorancës qeverisëse ishte i njëjtë, qeveria të heqë të ashtuquajturën taksë e votës, duke marrë në konsideratë propozimet e selisë rozë.
Valentina Leskaj: “Nuk ka kohë as për mëdyshje dhe as për zvarritje, ky problem duhet të marrë zgjidhje përsa kohë që jemi në limitet e fundit për një zgjidhje. Dje PS ka bërë disa propozime konkrete dhe meqenëse kryeministri ka bërë edhe shumë avokati çështjes së One stop shop, pra çështjes së gjithë shërbimeve në një sportel që natyrisht është shumë e vlerësueshme nga ne. Atëherë le ta zbatojnë këtë për kartat e ID. Sot iu bëjmë thirrje gjithë mazhorancës që të mos mbajë asnjë ditë më shumë peng të ardhmen integruese të vendit, por të dëgjojë zërin e arsyeshëm të opozitës për të shpëtuar zgjedhjet e lira dhe të ardhmen Europiane të vendit.”
Arta Dade: “Qeveria po luan në mënyrë që ç’organizuar dhe tendencioze me këtë çështje sociale për mbarëvajtjen e procesit elektoral të 28 qershorit.”
Për demokratet ky pretendim i opozitës ka për qëllim të prishë procesin zgjedhor të 28 qershorit.
Astrit Patozi: “PS nuk po kërkon karta ID, po kërkon një kartë për të njollosur paraprakisht procesin dhe për të prishur zgjedhjet e 28 qershorit por këtë qëllim nuk ka për ta realizuar kurrë. Edi Rama është në hall jo vetëm për mungesën e vizionit, por edhe për komisionin që do të ngrihet sot. Për ultimatumet e tij, kërcënimet e tij nuk do të na impresionojnë aspak ne. Ndërkohë që ai praktikisht u ka bërë thirrje të gjithë socialistëve të mos shkojnë për të votuar sepse nuk besohet që të jenë të shumtë ata që të kenë dëgjuar thirrjen e Ben Blushit nga Korça për të aplikuar dhe për të votuar si qytetar normal.
Edi Paloka: “Historia e kartave të ID vazhdon të bëhet qesharake nga dita në ditë. Opozita njëherë deklaron një gjë, njëherë deklaron një gjë tjetër ka qenë vetëm një strategji për ti lënë shqiptarët pa marrë kartat e ID, për ti lënë pa votuar në mënyrë që alibia e tij nesër, justifikimi i tij për humbjen të ketë edhe një koperturë sado të vogël.”
Sipas socialistëve selia rozë mbetet e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet në vend, duke mos u cenuar e drejta e votës ndaj asnjë shtetasi./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro