Nisin problemet e para shëndetësore për ish-punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec. Në ditën e 3 të grevës së urisë ata janë vizituar nga mjekja e zonës, e cila konstaton se grevistët kanë shqetësime për shkak të mungesës së ushqimit.

Shkëndie Kuçi: “Gjendja shëndetësore e tyre është disi mirë do me thënë. Me disa luhatje tensioni që po zbret në vlerën nën normalen. Ai është 17 vjeç, ai duhet ta ndërpresë sepse po të vazhdojë do të dehidratohet.”

Por edhe pse gjendja e tyre shëndetësore rëndohet nga dita në ditë, grevistët janë të vendosur për të vazhduar deri në fund.

Andi Belliu: “Se si do vejë kjo punë jonë nuk i dihet, por ne jemi të vendosur ta vazhdojmë deri në fund, derisa trupi jonë të rezistojë domethënë.”

8 grevistët që janë ngujuar në një ndërtesë pranë bashkisë së Vorës, mbështeten edhe nga 140 punëtorët e tjerë të ish-fabrikës së demontimit të predhave. Ata qëndrojnë jashtë ndërtesës deri në orët e vona të mbrëmjes./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami