Si çdo vit tjetër Elbasani është mbipopulluar në Ditën e Verës, në festën që ky qytet respekton si një traditë shekullore të tij.
Mijëra qytetarë nga e gjithë vendi kanë mbushur rrugët dhe kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara me këtë rast.
Festimet kanë filluar paradite me parada, lojëra dhe muzikë. Ata që janë gëzuar më shumë festës janë fëmijët, të cilët me veshje dhe maskë janë bërë pjesë e karnavaleve.
Si çdo 14 mars ëmbëlsira tradicionale ballokumja ka qenë më e kërkuara.
Qytetar: “Kemi dëgjuar se bëhet shumë shumë e madhe në gjithë Shqipërinë, është e dëgjuar por Elbasan bëhet festë e madhe Dita e Verës, e nga ajo erdha si familje. Kemi dalë që në mëngjes këtu dhe jemi shumë të kënaqur të gjithë”.
Qytetar: “Jemi shumë të gëzuar që festojmë Ditën e Verës, na mbajti dhe koha. Është një festë pagane, tradicionale në Elbasan, gjë që e presim shumë me kënaqësi”.
Qytetare: “Vij gjithmonë Ditën e Verës që e festojmë këtu, se gjithmonë festohet shumë bukur vetëm këtu në Elbasan”.
Në këtë qytet Dita e Verës është përshëndetur dhe nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, deputet i kësaj zone.
Lulzim Basha: “I uroj gjithë qytetarëve të Elbasanit edhe në emër të deputetëve të Elbasanit, të Partisë Demokratike, gëzuar Ditën e Verës! Sjelltë më shumë gëzim dhe hare në familjet e qytetarëve të këtij qarku, të këtij qyteti dhe të këtij rrethi”.
Kryeqyteti duket se edhe këtë vit ka qenë në garë më Elbasanin për festimet e kësaj dite. Për festimet e Ditës së Verës qytetarë të shumtë kanë pushtuar bulevardin kryesor, duke përfituar dhe nga moti i mirë me diell.
Qytetare: “Sot kemi dalë për të festuar Ditën e Verës edhe kjo verë shqiptarët i gjen shumë të lumtur dhe të gëzuar. Uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë lumturi në jetë”.
Qytetare: “Dita e Verës përfaqëson ardhjen e pranverës, duke menduar jo vetëm me çeljen e luleve, por me gëzim, me harmoni, me të gjitha”.
Qytetari: “Koha është bukur e mrekullueshme, së bashku me familjen të shijojmë këtë ditë kaq të këndshme”.
Një urim erdhi dhe nga kryebashkiaku Edi Rama, por ai e shfrytëzoi këtë dalje publike edhe për deklarata politike.
Edi Rama: “Unë dua t’i ftoj të gjithë të rejat dhe të rinjtë në mënyrë të veçantë që të ndjekin pjesën tjetër të programit “Rrok dhe bllok”. Dua t’jua uroj të gjithëve këtë festë që sjell më shumë diell, më shumë dritë, më shumë mbarësi për të gjitha familjet shqiptare, që po kalojnë një krizë shumë të vështirë ekonomike dhe që së paku meritojnë që të kenë më shumë qetësi”.
Dita e Verës është një festë pagane që simbolizon largimin e stinës së ftohtë të dimrit dhe ardhjen e pranverës.
Elbasani ruan traditën e vjetër të kësaj feste, ku në vigjilje të saj njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre për të nisur festimet.
Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, një shenjë kjo që simbolizon zgjimin e bimësisë nga gjumi dimëror dhe nisjen e procesit të ushqimit të saj nga toka./tvklan.al