Plazhi i Durrësit ishte streha e të rinjve në një mbrëmje të veçantë argëtuese e muzikore.
Ashtu si miliarda të rinjtë në mbarë botën, që e festojnë prej vitit 2000, edhe të rinjtë shqiptare festuan në 12 gusht, Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, me një aktivitet të organizuar nga Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të bashkuara për Popullsi e Zhvillim.
E celebruar për të tretin vit radhazi në vend, aktivitete të tilla, për ministrin Ardian Turku, përbejnë një shtyse për të mbështetur aspiratat e rinisë shqiptare.
Ardian Turku: “Është pikërisht ministria që duhet t’i përgjigjet pikërisht dëshirave dhe problematikave që rinia e sotme ka. Unë do doja që në këtë ditë të sotme të jepja mesazhet për të gjitha institucionet e vendit që të mbështesin aktivitetet e tyre, rininë e sotme shqiptare sepse ajo është dhe do të jetë patjetër ajo që do të marri fatet e kombit, fatet e vendit në dorë. Integrim e vendit tonë në Evropë.”
Gjatë mbrëmjes u projektuan video arti të krijuara nga të rinjtë e vendeve të ndryshme të botës, pjesë të një programi të suksesshëm që quhet “Stranger Festival”, për mbështetjen e ideve rinore përmes artit.
Sipas drejtoreshës së politikave Rinore në ministrinë e Rinisë, Migena Reçi, një thirrje për aksion të fuqishëm për të rinjtë e të rejat është edhe tema e këtij viti.
Migena Reçi: “Është shumë e rëndësishme që ky vit vjen me një temë shumë të veçantë qëndrueshmëria, një zhvillim i qëndrueshëm e cila është bërë tashmë një sfidë për të gjithë të rinjtë. Kjo është ku ne të gjithë kërkojmë vëmendjen e të gjithë autoriteteve të impenjohen për t’i dhënë një formë, për t’i dhënë një impenjim, për t’i dhënë një përfshirje të gjithë të rinjve në të gjitha reformat të cilat janë bërë pjesë tashmë e progresit dhe e standardeve evropiane sigurisht. Mesazhi jon është sot për të gjithë të rinjtë, më shumë investime për ta sot sepse një investim për ta sot është një e ardhme më e sigurt.”
Dhe si gjithnjë ëmbëlsira, për në fund. Enkas për ta performoi grupi kolumbian Rodrigo, nën ritmet regëton, të të cilit të rinjtë dëfryen duke kërcyer përgjatë dy orësh në rërën e plazhit të Durrësit./tvklan.al