Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shënavlash të Durrësit, ku djali ka vrarë babanë e tij.

Siç raporton gazetarja e Klan News Enekeleda Arapi, krimi dyshohet të ketë ndodhur më 13 Gusht 2024, datë në të cilën ishte denoncuar zhdukja e 62 vjeçarit Enver Balla. Mësohet se Esmerald Balla pasi i ka marrë jetën, e ka hedhur kufomën e të atit në pus. Ende nuk dihen më shumë detaje mbi vrasjen, ndërsa pritet që policia të dalë me një njoftim zyrtar.

Policia e Durrësit ka arritur që të zbardhë ngjarjen pasi ka patur dyshime që në fillim për krim brenda familjes. Hetuesit kanë përgjuar komunikimet telefonike dhe mesazhet e autorit. Ky i fundit pas arrestimit ka pranuar krimin duke thënë se vrau të atin pasi ai i kishte marrë shuma parash.

Kujtojmë se më 23 Shkurt të këtij viti, po në të njëjtin fshat u gjet i vrarë e i groposur 50-vjeçari Pëllumb Meta. Të arrestuar për ngjarjen e rëndë ishin 3 fëmijët e tij, vajza dhe dy djemtë.

/tvklan.al