Në kuadër të operacionit policor të koduar “The key” është kapur një 36-vjeçar i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për vjedhjen e një shume parash dhe bizhuterish në një banesë duke përdorur kopje të çelësit të dorës. Ai ishte shpallur në kërkim më datë 14 Shtator 2024 për vjedhjen e një shume parash dhe bizhuterish në një banesë në lagjen nr.18 në Durrës.
Për këtë rast në Shtator janë arrestuar 33-vjeçarja me iniciale E.K. dhe 42-vjeçari me iniciale F.H., të dy banues në Durrës. 33-vjeçarja, e punësuar sanitare në këtë banesë, dyshohet se ka siguruar kopje të çelësit të derës dhe ua ka dhënë 42-vjeçarit dhe 36-vjeçarit (vëllezër), të cilët dyshohet se më pas kanë kryer vjedhjen.
Gjithashtu në Shtator, shërbimet e Policisë kanë gjetur në banesën e 42-vjeçarit dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim./tvklan.al