Dy ditë pasi u zgjodh me votë në detyrën e zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave Myzafer Korkuti jep dorëheqjen.
Në letrën drejtuar anëtarëve të asamblesë, ai shkruan se arsyeja është personale dhe dorëheqja është e parevokueshme.
Në intervistën pasi u zgjodh zëvendës-kryetar, Myzafer Korkuti, paralajmëroi ndryshimet në strukturën e institucionit të kërkimit shkencor.
Por dorëheqja vjen në mesin e debatit që lindi nga paralajmërimi i kryeministrit Rama se do t’i heqë fondet Akademisë dhe do t’i marrë godinën, për shkak se sipas tij, zgjedhjet e të hënës ishin farsë.
Zgjedhjet vendosën në krye të Akademisë Gudar Beqirajn, që mbante postin e nënkryetarit.
Myzafer Korkuti që me herët mbante detyrën e kryetarit, ishte kandidatura e vetme për zëvendës- kryetar dhe vota prodhoi një rokade mes tyre.
Në profesion arkeolog, me një karrierë mbi 40-vjeçare në fushën e gërmimeve arkeologjike, autor i dhjetëra botimeve shkencore Myzafer Korkuti e drejtori Akademinë e Shkencave nga viti 2014 deri të hënën.
Pas dorëheqjes së tij, një mbledhje e asamblesë e cilësuar si e jashtëzakonshme do të zhvillohet të hënën e 11 Shtatorit. Përveç pikës së njoftuar që ka të bëjë me ngritjen e komisionit të akademikëve për reformën institucionale, është po kjo asamble që vendose nëse do të ketë zgjedhje për vendin e zëvendës-kryetarit, të lënë bosh nga Korkuti. Tv Klan