Prokuroria e Krimeve të Rënda firmos urdhër-arrestet për 3 ish-zyrtarë të Policisë së Vlorës të akuzuar si të përfshirë në trafikun e drogës në bashkëpunim me grupin e vëllezërve Habilaj. Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga organi i akuzës, por Tv Klan mësoi se janë shpallur në kërkim Jaeld Çela ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Bode ish-komandant i postës së kufirit në Dhërmi dhe Gjergj Kohila ish-shef i hetimit të krimit të organizuar në Policinë e Vlorës.
Kërkesat e Prokurorisë kanë marrë aprovimin edhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe i kanë kaluar policisë për ekzekutim. Të njëjtat burime thanë se për 3 ish-zyrtarët e lartë të policisë rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës që me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë dhënë ndihmë grupit të narkotrafikut të vëllezërve Habilaj në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas të njëjtave burime, në kërkim është edhe një zyrtar i katërt emri i të cilit nuk bëhet publik. Hetimet për ta nisën pas operacionit të 4 Tetorit 2016 në fshatrat Treblovë dhe Vezhadnisht ku u kap një sasi kanabisi. Mësohet se në pyetje për këtë çështje është marrë edhe një deputete e Partisë Socialiste.
Jaeld Çela, ish- drejtori i Policisë së Vlorës, me gradën Drejtues i Parë ka një karrierë të pasur policore, prej më tepër se 17 vitesh në Policinë e Shtetit. Për shumë kohë ka punuar si oficer i Antidrogës dhe krimeve në nivelin bazë, ndërsa në vitin 2009 është emëruar specialist i hetimit pranë Drejtorisë së Antikrimit në Policinë e Shtetit, në sektorin e Antidrogës. Në 2013-ën u emërua Zv/drejtor i Policisë së Durrësit, funksion që e mbajti deri në mesin e viti 2015. Në këtë kohë ai u emërua Drejtor i Policisë Vendore të Vlorës deri në Prill të këtij viti.
Sokol Bode, u emërua komandant i postës së kufirit në Dhërmi të Vlorës në vitin 2014 detyrë që e mbajti deri në qershor të këtij viti, kur u shkarkua. Bode u bë i njohur pas publikimit të fotove kur ai shihet në krah të Moisi Habilajt. Më pas ai u transferua në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.
Gjergj Kohila, ka kryer funksionet e shefit të hetimit të krimit të organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës prej fillimit të vitit 2015 ndërsa u shkarkua në qershor të këtij viti.
Tv Klan