Lajme Arkiva 2003

Është çelur në Gjykatën e Faktit në Tiranë, procesi gjyqësor ndaj shtetases amerikane Angjelina Hasani, njëkohësisht me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare.

Hasani është arrestuar një vit më parë dhe akuzohet për mashtrim në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe diskonim të kartëmonedhave fallco.

Rovena Gashi prokurorja e çështjes ka renditur provat në bazë të të cilave është bërë arrestimi dhe procedimi i të pandehurve . Ndër to edhe dëshmia e një prindi i cili ka pretenduar se i ka dorëzuar Angjelina Hasanit 18 mijë Dollarë, për të bërë të mundur kurimin e fëmijës së tij në një spital Amerikan.

Deri në datën e arrestimit të tyre 19.08.2002 u provua se të pandehurit kanë vjedhur me anë të mashtrimit të paktën 7 shtetas duke përfituar shumën prej rreth 50.000 Dollarësh dhe ka tentuar të vjedhë shtetasin Lame Hoxha për shumën 18.000 Dollarë. Në banesën e të pandehurve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automatikë kallashnikovë.

Trupi gjykues drejtuar nga Artur Gaxhi ka pranuar thirrjen e dëshmitarëve nga mbrojtja të cilët priten të vijnë në seanca të tjera gjyqësore.

Në seancën për çështjen “Kokaina” është lexuar në sallë dëshmia e shtetasit kolumbian Triana Mateus. Gjatë leximit të fashikullit dëshmi, avokatët e çështjes kanë kontestuar duke kërkuar së pari përcaktimin e statusit të Triana Mateusit, si dhe kanë konsideruar të pavlefshëm  dëshminë e dhënë, pasi dëshmitari duhet të bëjë një betim përpara gjyqtarëve shqiptarë .

Ndërsa i pandehuri Sokol Koçiu ka drejtuar dhe një ankesë pranë Ambasadës Amerikane, ku pretendohet se servilja e një dëshmie të marrë në New York, në zyrën juridike të Shteteve të Bashkuara, është servirur në Gjykatën Shqiptare në kundërshtime marrëveshjen ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Vetë i pandehuri Sokol Koçiu është larguar sërish nga procesi me urdhër të gjyqtarit Gjoni, pasi ka kontestuar me insistim pranimin e avokates Manushaqe Zhulali si mbrojtëse e caktuar nga gjykata./tvklan.al