Lajme Arkiva 2003
Prokuroria paraqiti dëshmitarët e saj në seancën e çështjes ndaj 4 të pandehurve të shoqërisë anonime Petrolimpex. Inspektori që ka kryer kontrollin në këtë shoqëri vitin e kaluar Nexhmedin Dinga ka qenë i dërguar i Ministrisë së Punëve Publike për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të kontratës nga ana e anëtarëve të këshilit mbikqyrës nga Petrolimpex, gjatë dhënies me qera apo shitjes së depozitave të karburantit.
Dëshmitari ka nxjerrë edhe dëmin që i është bërë buxhetit dhe që sipas organit të akuzës është rreth 200 milionë Lekë të vjetra, por avokatët mbrojtës të të pandehurve që gjykohen në gjendje të lirë thanë se ky dëm nuk është real.
Ata argumentuan se kjo shoqëri ka shpenzuar për të investuar në rindërtimin e saj pasi objekti që morri në dorëzim ishte në gjendje mjaft të keq.
Në seancën e dosjes “Kokaina” janë përjashtuar dy avokatë mbrojtës të të pandehurve pasi kanë fyer kryetarin e trupit gjykues Gjin Gjoni. Ky i fundit urdhërori togën e shoqërimit të nxjerrë jashtë avokatët Ardian Leka dhe Gazmend Zeneli.
Këta të fundit janë ankuar se kryetari i trupit gjykues ka shkelur ligjin pasi mbrëmë u ka dërguar një polic rreth orës 11 të natës për të njoftuar për zhvillimin e seancës së radhës. Avokatët i janë drejtuar ashpër zotit Gjoni urdhri i të cilit për përjashtimin e tyre u zbatua nga policët e togës së qarkullimit.
Në shenjë proteste janë larguar edhe disa nga të pandehurit të tjerë, ndërkohë që Sokol Koçiu paraqiti sërisht edhe kërkesën për përjashtimin e tij nga gjykata e çështjes.
Në prani të pandehurve dhe prokurorëve Vehbi Hysi dhe Frederik Durda zoti Gjoni shpalli shtyrjen e seancës për ditën e hënë ku do të shqyrtohet nga kryesia e gjykatës edhe kërkesa e Sokol Koçiut për përjashtimin e tij./tvklan.al