Kreu i grupit parlamentar të PD-së është paraqitur në SPAK mëngjesin e sotëm për dosjen “Xibraka”. Pas rreth 20 minutash, Bardhi ka dalë nga Prokuroria e Posaçme ku dhe ka dhënë një prononcim për mediat. Ai tha se seanca në SPAK kishte vetëm një pyetje nëse ka ndonjë gjë për të shtuar në lidhje me kërkesën e tij për rihapjen e hetimeve për laboratorin e drogës në Xibrakë. Bardhi ka kërkuar që hetimi ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Ramës duhet të jetë i thelluar për dosjen e “Xibrakës”. Më tej, Bardhi ka deklaruar se ishte në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen.

Gazment Bardhi: Seanca e marrjes në pyetje kishte vetëm një pyetje nëse kisha gjë për të shtuar në raport. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Kallëzues në dosjen e “Xibrakës” është prokuroria dhe policia e Hanoverit. Kam kërkuar rihapjen e këtij procedimi që ishte harruar në arkivat, ndërkohë që persona të përfshirë ishin cilësuar si të paidentifikuar dhe për pasojë nuk kanë marrë atë që meritojnë sipas ligjit për përfshirjen në laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë, në laboratorin e Xibrakës. Sot unë jam për çështjen e dosjes së Xibrakës, nuk dua të devijoj dëshminë time para hetuesve të SPAK me çështje të tjera që besoj se do të kemi kohë. Rikonfirmova atë që kam sjellë dhe përcjellë me shkrim në datën 29 Mars 2024.

Pyetje: Olsi Rama ka depozituar një kallëzim të dytë për ju në SPAK, a keni informacion nëse është regjistruar ky kallëzim?

Gazment Bardhi: Nuk kam informacion, kam zero interes se për çfarë nxitet Olsi Rama nga i vëllai për efekt të propagandës. Përgjigjen për atë çështje e kam marrë. Nuk mund të ketë kallëzim të rremë përsa kohë që informacioni që kam përcjellë është vlerësuar nga prokurorët e çështjes si i mjaftueshëm, e dhënë konkrete për të rihapur një procedim penal. Kallëzim të rremë është në 3 rrethana, kur nuk ka vepra penele, nuk ka krim, apo sajohen provat. Nëse lexoni kallëzimin e Olsi Ramës do të shikoni se nga njëra anë më akuzon për kallëzim të rremë dhe nga ana tjetër i thotë prokurorit që merreni dhe pyeteni se ku i ka gjetur të dhënat, dokumentat që ka publikuar, duke konfirmuar vërtetësinë e atyre dokumentave. Zotëria të paktën 2 herë ka kryer ai kallëzim të rremë. Hetimi ndaj tij duhet të jetë i thelluar për laboratorin e kokainës në Xibrakë. Kësaj çështje nuk i ikën dot. Si kryetar i grupit, çdo ditë marr me dhjetra ankesa, shqetësime edhe me radhë, edhe nga qytetarët.

Pyetje: A keni besim tek SPAK?

Gazment Bardhi: Sa kohë i jam drejtuar SPAK, pa asnjë dyshim që kam besim tek SPAK, e vetmja gjë që kam bërë dhe bëj është nxitja për të vepruar në mënyrë të paanshme. Sa kohë që veprohet në përputhje me ligjin. Kam besim. Në këtë çështje, kam pasur një pretendim ligjor dhe këtë pretendim e kam trajtuar në rrugë institucioniale. Jam përpjekur të veproj si një funksionar publik i përgjegjshëm.

Pyetje: Prokurori që po e heton këtë çështje është caktuar Alfred Shehu që ju e keni denoncuar në Elbasan dhe tani ju doni të jepni dëshmi përballë këtij prokurori që ka qenë subjekt sulmesh nga ana e PD-së në kohën e zgjedhjeve. Do të kërkoni të ndryshoni prokurorin apo do i bindeni Alfred Shehut?  

Gazment Bardhi: Unë nuk i bindem askujt përveç ligjit dhe Zotit. Këtë çështje e kam trajtuar në rrugë institucionale, nuk dua të bëj politikë me këtë çështje. Pres që SPAK të zbatojë ligjin, të hetojë atë që u la pa hetuar nga prokurorët. Kam kërkuar që të hetohet dhe roli i 2 prokurorëve që kanë pasur rastin e Xibrakës. Ajo është një çështje me rëndësi themelore dhe do të duhej të kishte një hetim serioz. Prokurorët zgjodhën të merrnin mbështetje nga Rama në vend se të kryenin detyrën e tyre për t’i shkuar deri në fund të vërtetës.


/tvklan.al