Lajme Arkiva 2003

Çmimet e larta të referencës që po trajtohen në pikën doganore të kalimit kufitar në Kakavijë, vazhdojnë të pengojnë kalimin e lirë të automjeteve. Tarifat e larta nuk janë shpjeguar ende nga Drejtoria e Doganave e cila po mban pezull aktivitetin e mjaft tregtarëve.

Përfaqësues të biznesit, megjithëse prej ditësh i janë drejtuar jo vetëm drejtorisë së përgjithshme, por edhe doganës së Kakavijës për një shpjegim mbi referencat e larta që po aplikohen deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Në një bisedë telefonike për Tv Klan presidenti i kompanisë ELKA Lefter Kallo u shpreh:

“Ne kemi disa makina të mbyllura në Kakavijë dhe mendojmë se është thjesht një kapriço e njërit apo tjetri drejtor të cilët ne na sjellin pengesa dhe dëme ekonomike në punën tonë. ne kërkojmë që të ndërhyhet. Kemi njoftuar edhe në prokurori që të vërë në vijë këtë pune sepse është një pengesë për ne dhe për të tjerët, se është një shkelje flagrante e ligjit”.

Kompanitë e biznesit janë në pritje të një  ndryshimi të këtyre tarifave të larta, për këtë presidenti i kompanisë ELKA pohon:

“Gjithashtu ne i kemi bërë edhe një propozim tjetër drejtorisë së doganave . Ne jemi gati të paguajmë edhe me mall pjesën e detyrimit doganor, domethënë sipas referencës. Ka një anomali në këto referenca nuk është se ka një stabilitet ose një rritje në këtë proces”.

Tarifat e larta të çmimit të referencës kanë nisur të aplikohen që para vitit të ri për disa artikuj të veçantë, kryesisht ato ushqimor. Në ditët e fundit këto tarifa kanë kaluar çdo limit duke u rritur edhe në masën 200%./tvklan.al